Emrat festivë të kosovarëve – dominon “Gëzimi”, “Kremta” mbetet e fundit

Festat sidomos ato të fundvitit dhe ndërrimi i motmoteve, sjellin gëzim e ngrohtësi kudo.

Në këtë kohë të përfundimit të vitit kalendarik shpeshtohen edhe takimet me familjarë, miq e kolegë, njofton Klankosova.tv.

Kremtat, përpos që përmbyllin angazhimin e gjithsecilit përgjatë 365 ditëve të vitit, shërbejnë edhe për të kujtuar momentet e bukura, punët e mira por edhe sukseset, me shpresën dhe urimin që viti i ardhshëm të jetë më i mirë se parapraku.

Disa nga momentet e lumtura në familjet kosovare, manifestohen edhe me pagëzimin e fëmijëve me emra festivë, si: Festa, Harea, Kënga, Gëzim, Begatim, etj.

Në bazë të të dhënave që ka mbledhur Klankosova.tv nga Agjencia e Statistikave, del se në Kosovë dominon emri Gëzim.

Këtë emër e kanë hiç më pak se 4 mijë e 168 persona.

Madje edhe versioni tjetër i emrit Gëzim, Gzim, është i dyti në radhë me 2239 meshkuj që bartin këtë emër, kurse, gjithnjë sipas ASK-së, është edhe një femër me po këtë emër.

I treti në këtë listë renditet Urimi, me 1 mijë e 607 persona, ndërsa sipas kësaj agjencie një person me këtë emër është femër.

Derisa janë gjithsejt 43 gra/ vajza që e kanë emrin Urime.

Pas Urimit, vjen Festimi, ku 1 mijë e 534 djem e mbajnë një emër të tillë që e sjell në kujtesë festën.

Sipas të dhënave të ASK-së, 770 Festina i ka krejt Kosova.

Edhe te femrat emri Gëzime është i famshëm, me 301 sosh – kurse janë edhe 174 Gzime.

Por duket se kosovarët kanë më pak pëlqim për “Hare”, “Kremtim”, “Begatim” dhe “Kremtë”, meqë pak nga ta kanë zgjedhur që këta emra t’ia vendosin fëmijëve të tyre.

Më poshtë ju sjellim renditjen e emrave festivë, që bartin njerëzit në Kosovë:

Gëzim/Gzim – 6 mijë e 407 persona;

Urim – 1 mijë e 607 persona;

Festim – 1 mijë e 534 persona;

Festina – 770 persona;

Gëzime/Gzime – 475 persona;

Harea – 153 persona;

Festa/Festë – 140 persona;

Kremtim – 60 persona;

Begatim – 21 persona;

Urime – 43 persona;

Kremta – një person.