Haradinaj rrezikon të mos e kalojë pragun në zgjedhjet e ardhshme, thotë deputeti i LVV-së

Haradinaj rrezikon të mos e kalojë pragun në zgjedhjet e ardhshme, thotë deputeti i LVV-së

Deputeti i partisë në pushtet Vetëvendosjes, Gramos Agusholli, ka thënë se nëse mbahen zgjedhje në vjeshtë të këtij viti, janë zgjedhje të rregullta e jo të parakohshme.

Agusholli u shpreh i bindur se nuk e di nga po e shohin përparësinë e zgjedhjeve Memli Krasniqi e Ramush Haradinaj, të cilët vazhdimisht po deklarohen pro zgjedhjeve të parakohshme.

“Nëse zgjedhjet mbahen në vjeshtën e këtij viti, nuk quhen zgjedhje të parakohshme. Janë zgjedhje të rregullta me sa di unë. 6 muaj para përfundimit të mandatit subjektet politike mund të dakordohen për datat zgjedhore”, tha Agusholli.

“Gjithsesi, kurdo që mbahen zgjedhjet, të parakohshme apo jo, unë nuk di se ku po e shohin përparësinë këta dy liderë”, shtoi ai.

Sipas Agushollit, Ramush Haradinaj nuk e ka të sigurt kalimin e pragut zgjedhor.

“Njëri nuk e ka të sigurt kalimin e pragut zgjedhor, e tjetri me sondazhet e fundit është afër subjektit të dytë, larg nga i pari”, shtoi ai.

Ai shton se, Krasniqi e Haradinaj duhet të lobojnë që të shtyhen zgjedhjet, sepse sipas tij shumica e tyre në mandatin e ardhshëm nuk do të jenë në Parlament.

“Unë mendoj që këta për të mirën e tyre politike, duhet të lobojnë që zgjedhjet të shtyhen sa më shumë sepse shumica e tyre në mandatin e ardhshëm nuk do të jenë në Parlament. Mos të harrojmë se sondazhi i fundit është bërë pa votat e mërgatës. Tash… mbetet të shihet”, tha Agusholli për Blic.