13 të arrestuar gjatë aksionit të Prokurorisë në Podujevë dhe Prizren, 12 prej tyre zyrtarë të ATK-së

Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot ka realizuar një aksion, i cili ka rezultuar me arrestimin e 13 personave të dyshuar për ‘Mashtrimi në detyrë, ‘Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin’ dhe ‘Shmangie nga tatimi’, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria njofton se 13 nga të arrestuarit janë zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës dhe një pronar biznesi.

Personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 419 i KPRK-së, ashtu që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milion euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit të B.B. dhe B.B ( të cilë janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi” dhe si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milion euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur”, thuhet në komunikatë.

Në pranga ka rënë edhe pronari i hotelit ‘Lakeside’ në Vërmicë të Prizrenit, Feim Pulaj, i cili dyshohet se në bashkëkryerje me dy persona tjerë, dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për 2.8 milionë euro.

Gjatë aksionit në pronat e njërit prej të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar një sasi armësh, tri të gjata, tri të shkurtëra, pajisje elektronike, telefon e prova të tjera materiale.

Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor pritet që të parashtrohet kërkesa për paraburgim.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.