Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me tri vjet burgim Melvin Dinajn, pasi i njëjti ka goditur për vdekje një këmbësore 56-vjeçare.
Aksidenti ka ndodhur në nëntor të vitit të kaluar në rrugën C në Prishtinë, ndërsa seanca për këtë rast është mbajtur këtë të premte, ku i akuzuari Dinaj e ka pranuar fajësinë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi, përmes një përgjigjeje me shkrim.
“Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, me datë 19.01.2024 është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar, ku i pandehuri M.D e ka pranuar fajësinë për veprën penale ‘Rrezikim i trafikut publik’, e të cilin pranim të fajësisë gjykata e ka pranuar me aktvendim”, ka thënë Gashi.
Përveç dënimit me burgim, atij i është ndaluar edhe marrja e lejes së vozitjes për kategorinë “B” dhe marrja e re e lejes së vozitjes në afat prej 5 vitesh, kjo si dënim plotësues.
Aktgjykimi dënues ndaj tij ende nuk është përpiluar dhe i njëjti posa të përpilohet do publikohet si dhe të jetë i qasshëm për publikun.
Ndryshe, 56-vjeçarja ishte punëtore shëndetësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë.