Ku mbeti premtimi famoz i Kurtit për shërbimin e detyrushëm ushtarak?

Partia që tani udhëheq me pushtetin kishte premtuar shërbimin e obligueshëm ushtarak. Një gjë e tillë nuk është paraparë me ndarjen buxhetore të këtij viti dhe nuk dihet nëse është në plan të jetësimit nga qeveria. Njohës të sigurisë vlerësojnë se aplikimi i shërbimit ushtarak të obligueshëm ka kosto të lartë financiare dhe kërkon analizë të thellë. Po ashtu, theksojnë se kjo nuk mund të bëhet para përmbylljes së planit të tranzicionit.

Së voni, ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se ideja e shërbimit të obligueshëm ushtarak në Kosovë, nuk pranohet nga shtetet partnere në Kosovë.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli deklaron, se deri më tani ka pasur vetëm diskutime, por jo edhe diçka konkrete në lidhje me këtë premtim.

Ai thekson se kjo ndihmon që të ketë resurse të mjaftueshme në rastet kur rrezikohet siguria nacionale.

Kosova duhet të sigurohet që të flet për një shërbim ushtarak krejtësisht ndryshe nga ajo në Serbi, shprehet Vrajolli, teksa flet për paralajmërimet e kësaj të fundit.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi konsideron se një gjë e tillë mund të realizohet në një fazë të mëvonshme, por jo tani.

Ditëve të fundit në Serbi është paralajmëruar rikthimi i detyrimit për të shërbyer në ushtri deri në katër muaj.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi pati reaguar duke thënë se një gjë e tillë është e papranueshme dhe duhet refuzuar.