Në 18 vjetorin e vdekjes së ish presidentit të Kosovës, personaliteti dhe veprimtaria e Ibrahim Rugovës u përkujtua me homazhe te vari i tij dhe jo vetëm.

Te varri i tij sot homazhe kanë bërë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ambasadorë dhe figura të tjera ndërkombëtare që jetojnë në Kosovë.

Presidentja Osmani theksoi se Rugova ishte i lidhur me Kosovën dhe i shërbeu saj deri në frymën e fundit.

“Kush mund të simbolizonte më shumë sesa shprehja poetike unë biri yt Kosovë, personalitetin e Ibrahim Rugovës, lidhjen e tij me vendin e vet, me vlerat e trashëgiminë e tij me përkushtimin për ta krijuar shtetin, duke ruajtur lidhjet me aleancën euroatlantike”, tha Osmani.

Kryeministri Kurti kujtoi rolin dhe kontributin ndërkombëtar në çështjen e Kosovës të ish presidentit Rugova.

“Është presidenti i parë i Republikës së Kosovës, kur Republika ishte Republikë për ekzistencë ndaj okupimit të Serbisë në Kosovë, por edhe president i parë i Kosovës së ҫliruar. Sot në 18-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta e kujtojmë për rolin dhe kontributin në ndërkombëtarizimin e ҫështjen së Kosovës dhe në kombëtarizimin e rezistencës civile”, tha Kurti.

Mesazhe në këtë përvjetor kanë përcjellë edhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, krerë të partive politike në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut.

Ibrahim Rugova në 1989 u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës që nga themelimi i saj, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumë-partiake për Kuvendin e Kosovës, më 24 maj 1992. Ibrahim Rugova u zgjodh president i Republikës së Kosovës. Ai u rizgjodh në këtë post në zgjedhjet e mbajtura në mars 1998.

Nën udhëheqjen e tij, LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor 2000, si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet nacionale më 2004.

Ibrahim Rugova u zgjodh president i Kosovës në mars 2002 dhe u rizgjodh më 2004.

Ai vdiq me 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Zgjidhni kandidatëttuaj të preferuar për deputet nga Suhareka! 🗳️

Kandidati juaj i preferuar per Kryeminister?

TE FUNDIT