‘Faji nuk është te mjekët, as te farmacistët’ – Udhëzimi administrativ për recetat mjekësore ‘i paqartë’

Tash e 13 vite përdoren në çdo institucion shëndetësor. E përdorimi i tyre është tre llojesh. Recetat për narkotik që përdoren në institucionet publike – dhe recetat për barna që përdoren në institucionet publike dhe ato private.

Mirëpo që nga koha e hyrjes në fuqi të legjislacionit për receta, ka paqartësi e pikëpyetje të shumta.

“Kjo çështja e recetave është shumë konfuze në Kosovë, shembull niveli sekondar dhe terciar nuk kemi ato receta, por i shkruajmë raportet tona. Kurse ato të nivelit primar i kanë recetat. Çka bëhet me këto receta? Rimbursohen, çka ndodhë me to? Kështu që po, ne kemi një udhëzim administrativ por sa është i zbatueshëm ai, është në pikëpyetje dhe jo gjithmonë, apo në shumicën e rasteve nuk është faji i mjekëve”, ka deklaruar Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve të Kosovës.

Edhe Oda e Farmacistëve thekson se ligji për produktet medicinale duhet të ndryshojë.null

“Ka nevojë për plotësim-ndryshime, mirëpo çdoherë do të kemi probleme duke u bazuar që kemi recetën fizike dhe elektronike unë mendoj se do të kemi çdoherë probleme derisa nuk funksionalizohet receta elektronike, pra që futet në sistemin informativ shëndetësor”, ka thënë nënkryetari i Odës së Farmacistëve, Arsim Haxhijaha.

Ndërsa për formatin e tyre, shqetësime ngre edhe Inspektorati Farmaceutik.

Inspektorati Farmaceutik në vazhdimësi ka ngritur shqetësimet në institucionet përkatëse lidhur me formatin e recetave, shpërndarjen në institucione dhe përshkrimit të recetave nga ana e mjekëve, sipas legjislacionit në fuqi. Gjatë vitit 2023, Inspektorati Farmaceutik ka shqiptuar 21 gjoba për dispenzimin apo dhënien e produkteve medicinale pa recetë mjekësore dhe për mos ruajtjen e recetave mjekësore në barnatore.

Përshkrimi i recetave, llojet e recetave dhe shpërndarja e tyre është e rregulluar sipas: Ligjit Për Produkte dhe Pajisje Medicinale 04 L-190 si dhe Udhëzimit Administrativ Nr 01/2010 Recetat në Sistemin Shëndetësor.