Vaktia e Ramazanit 2024

Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës ka publikuar vaktin e Ramazanit për vitin 2024.

Dita e parë e Ramazanit është me 11 mars, ku koha e syfyrit është në ora 04:16, ndërsa iftari në ora 17:45, transmeton Telegrafi.

Kurse, dita e fundit e Ramazanit është më 9 prill, ndërkaq dita e parë e Fitër Bajramit është më 10 prill, ditë e mërkurë.

Ramazani është muaji më i zgjedhur dhe më i rëndësishmi për të gjithë myslimanët. Muaji në të cilin është urdhëruar agjërimi dhe në të cilin filloi zbritja e Kur’anit të madhërishëm.

Çdo besimtar i sinqertë e pret me gëzim Ramazanin, duke shpresuar në mëshirën dhe faljen e Allahut. Është koha kur zakonet dhe detyrimet tona jetësore ua nënshtrojmë momenteve kur fillojmë agjërimin dhe kur bëjmë iftarin.

Libri i Shenjtë Kurani thotë se Ramazani ka dimension shpirtëror, moral, solidar dhe shëndetësor. Nga agjërimi janë liruar fëmijët, shtatzënat, nënat me foshnja në gji dhe të sëmurët. Ditët e Ramazanit janë gjithashtu specifike në atë që xhamitë janë plot gjatë të pesë namazeve (faljeve), megjithëse ato mund të falen edhe në shtëpi.

Agjërimi njëmujor nuk i liron besimtarët nga obligimet dhe punët e rregullta, por u lejohet t’u përshtaten detyrimeve fetare./Telegrafi/