Ftesa për intervistim si i dyshuar për veprën penale ‘Nxitje të përçarjes dhe mosdurimit’ ndaj gazetarit kosovar, Lirim Mehmetaj, ka shkaktuar një debat të gjerë në në opinionin publik. Thirrja për Mehmetajn po konsiderohet shkelje e pashembullt profesionale dhe sulm ndaj mediave e gazetarëve. Kjo çështje e shtyu të dalë me një reagim Prokurorinë Themelore në Prishtinë, teksa prokurorja e rastit po refuzon të deklarohet, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka tentuar dhe ka insistuar të marrë një përgjigje nga prokurorja e Departamentit të Përgjithshëm, Rukije Shasivari, por e njëjta ka refuzuar të flasë.
“Nuk muj me u prononcu kurrgjë. Ma vonë…mundeni me iu drejtu zyrtarit për media. Për momentin, s’kom koment. Ajo është çështje personale“ – u shpreh ajo shkurt.
Pasi iu kërkuar sqarim pse ftesa ndaj një gazetari është çështje është personale, Shasivari tha se “..po mendoj është çështje personale ku unë du me jap koment ose jo” dhe e ndali telefonin.
Sipas Prokurorisë, “veprimet e ndërmarra në këtë çështje janë në drejtim të trajtimit të Kallëzimit penal, për të cilën Prokurori i Shtetit ka obligim ligjor të trajtoj dhe sqaroj të gjitha rrethanat të cilat pretendohen nga palët e përfshira në proceset që zhvillohen para Prokurorit të Shtetit.”
Në reagimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë thuhet se megjithatë kryeprokurori, Zejnullah Gashi, do të analizojë veprimet e prokurores së rastit për këtë çështje dhe do të vlerësojë nëse eventualisht ka tejkalim të kompetencave që nuk janë në përputhje me ligjin.
Ndryshe, gazetari Mehmetaj e ka akuzuar Qeverinë Kurti për përndjekje, teksa fillet e kësaj çështje duket se janë pas një debatit që pati me deputetin e Vetëvendosjes, Dimal Basha.