Lidhja Demokratike e Kosovës të shtunën ka njoftuar se ka formuar për herë të parë Forumin e Këshilltarëve Lokalë.
Sipas partisë, ky forum është një trup koordinues dhe politikbërës i asamblistëve në të gjithë Kosovën.
Përmes një komunikate në Facebook, thuhet se “209 këshilltarët e zgjedhur lokalë, nga procesi i fundit zgjedhor i vitit 2021 do të jenë anëtarë të këtij Forumi”.
“Me vendim të Kryesisë Qendrore, Ilir Ferati, kryetar i komunës së Istogut është zgjedhur kryesues i Forumit të Këshilltarëve Lokal, deri në zgjedhjet e ardhshme lokale. Ky trup, synon të unifikojë politikat lokale të Lidhjes Demokratike të Kosovës; të shkëmbejë përvojat më të mira, sikurse dhe të rris në nivel të ri organizimin e brendshëm partiak në këtë vit zgjedhor.” – thuhet në njoftimin e partisë.
Aty thuhet po ashtu se takimi i parë dhe konstituiv i Forumit të Këshilltarëve Lokalë mbahet gjatë muajit mars.