Fitore ndaj Malishevës, Ballkani rikthehet në krye

Pasi e mposhti në Kupë pak ditë më parë, Ballkani e ka mposhtur Malishevën edhe sot në ligë.

Takimin në fjalë suharekasit e fituan 2-0 (Nazmi Gripshi 49’, Mamadou Danfa 69’), për t’u rikthyer kështu përsëri në krye, pasi që dje kreun përkohësisht e mori Llapi.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, pjesë në të cilin Ballkanit iu anulua një gol pas rishikimit me VAR. Ai gol u shënua nga Edvin Kuc.

TABELA AKTUALE

Epërsia suharekase erdhi në minutën e 49’, kur pasimin mjaft të mirë të Lumbardh Dellovës, në rrjetë e çoi Nazmi Gripshi, futbollisti që shkëlqeu edhe në ndeshjen e luajtur në mesjavë.

20 minuta më vonë, fitorja e Ballkanit u vulos me golin e Mamadou Danfës, i cili u asistua nga Bleart Tolaj. Pikërisht Tolaj iu afrua shumë golit pak minuta më pas, kur e goditi shtyllën.

Kështu, Ballkani e mbyll xhiron si lider i Superligës, kurse Malisheva ndodhet në vendin e katërt, tashmë 5 pikë larg Dritës së vendit të tretë.