Vazhdon rritja e çmimeve, thellohet varfëria

Sipas matjeve të fundit të agjencisë së statistikave, në muajin shkurt të këtij viti çmimet e produkteve esenciale, janë ngritur rreth 3 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas këtyre të dhënave, çmimi i produkteve të konsumit ka pasur dallime edhe nga muaji në muaj.

“Shtrenjtimi vërehet me ngritjen e çmimeve të konsumit në muajin shkurt të vitit 2024 krahasuar me muajin shkurt 2023: Energjia elektrike 11.5%, lëndët djegëse: dru zjarri pelet 8.3%, mallrat dhe shërbimet e ekonomisë shtëpiake 7.7%. Rritje e çmimeve vërehen edhe tek prodhimet ushqimore për 5.8 % më shumë se vitin 2023: Perimet 3.0%, buka dhe drithërat 2.3% mishi 1.3%. Ndikimi i përbashkët i këtyre nëngrupeve rrumbullakohet me rritje prej 2.6%”, thuhet në statistikat e ASK-së.

Qytetarët ankohen se kjo rritje e vazhdueshme e çmimeve ka varfëruar shportën ditore të tyre.

“Fort keq tepër keq, çdo ditë rriten çmimet nuk është në rregull me pagat që marrim vështirë është me e përballu”, tha një qytetar për rtv21.

“Me 300 euro rrogë në këtë kohë veten s’mundesh me e mbajtë se le mo me pas familje”, tha një tjetër qytetar për rtv21.

“Po çfarë ekonomie me këtë qeveri, llogarite u prishë me krejt botën po pret me pasë ekonomi t’fortë”, tha për rtv21 një qytetar.

Profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, kritikoi qeverinë për mungesë të një strategjie të mirëfilltë për ngritjen e ekonomisë së vendit. Ai numëron tre shkaktarë kryesor që, sopas tij, kanë shkaktuar ngecje në zhvillimin ekonomik.

“Mungesën e investimeve kapitale, mungesën e investimeve të huaja dhe tensionet e vazhdueshme politike”

Rreth 20 mijë familje me 80 mijë anëtarë vlerësohet se janë përfitues të asistencës sociale në Kosovë. Ndërkaq sipas raporteve të organizatave ndërkombëtare në tri vitet e fundit në varfëri janë zhytur edhe rreth 30 mijë qytetarë./