Rrahjet e përleshjet mes nxënësve në shkollat fillore e të mesme janë shumë të shpeshta. Drejtoritë shpesh detyrohen të kërkojnë ndihmën e Policisë për të intervenuar në incidente të tilla që ndodhin brenda hapësirave të shkollave apo edhe në afërsi të tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një përleshje fizike ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në shkollën fillore “Dëshmorët e Kombit” në Vraniq të Suharekës, ku për pasojë një nxënës ka pësuar lëndime trupore.
Siç mëson Sinjali, viktima është një 14-vjeçar, i cili është sulmuar nga dy nxënës të kësaj shkolle për motive akoma të panjohura.
I mituri është dërguar në Emergjencë për trajtim mjekësor, ndërkohë që lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Si rezultat, të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tyre është hapur rasti për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.