FC Ballkani ka publikuar sot një video të shkurtër të ndeshjes së tyre derbi ndaj Llapit, e zhvilluar dje në Suharekë.
Kampioni në fuqi i Kosovës pretendon se është dëmtuar duke mos iu dhënë një penallti, ndërsa e përmendi edhe penalltinë që iu dha Llapit në ndeshjen ndaj Gjilanit.
Sipas Ballkanit, renditja tabelare sot në Superligë nuk është nga futbolli i drejtë.
Reagimi i plotë i Ballkanit, pa ndërhyrje:
A do luajmë të gjithë futboll të drejtë në Superligë ?
Po e bëjmë këtë pyetje sepse veprimet arbitrare pro një skuadre, në dëm të tjerave, tashmë dukey se janë kthyer në të zakonshme, e kjo nuk mund të lejohet!
Ne nuk jemi ankuar dhe nuk ankohemi asnjëherë kur na dëmton rezultati, pasi kundërshtarët na ndalin me futboll. Por assesi NUK MUND TË HESHTIM kur na dëmtojnë faktorë të tjerë, jo rivalët në fushë.
Një penallti e pa qenë e akorduar në Podujevë në favor të Llapit kundër Gjilanit, sikurse një penallti e pastër dje në Suharekë E PA AKORDUAR për ne, poashtu ndaj Llapit, kanë bërë që këto të kenë ndikim direkt në pikët e grumbulluara në tabelë, duke na dëmtuar ne, në të dyja rastet.
Kush jep përgjegjësi për këto gabime të cilat po përcaktojnë ecurinë e kampionatit ?!
Na ka mposhtur Fushë Kosova nga fundi i tabelës dhe thjeshtë ia kemi zgjatur dorën kundërshtarëve për angazhim.
Por nuk mund të lejojmë dhe s’mund të durojmë që të humbim pikë duke u dëmtuar djersa jonë.
Sot renditja tabelare në Superligë nuk është nga futbolli i drejtë, këtë po e shikojnë të gjithë, kjo duhet të ndalet, urgjentisht!