Tronditëse: 13-vjeçarja që u raportua e zhdukur në Suharekë dyshohet se është dhunuar nga dy persona

Të miturat janë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve seksuale, sulmeve seksuale e dhunimeve në Kosovë. Raste të tilla dhe mjaft të trishta po tronditin familjet e tyre, që kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje nga institucionet. Shumë herë këto ngjarje zbulohen pasi viktimat largohen nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Pasi kaloi vetëm një javë nga rasti i tmerrshëm në Malishevë, një rast tjetër tronditës dyshohet se ka ndodhur në disa motele të vendit dhe tashmë kanë nisur hetimet nga organet e rendit.

Sinjali mëson se rasti u zbulua pasi një vajzë 13-vjeçare nga Suhareka u denoncua e zhdukur nga familja e saj dhe Policia arriti ta gjejë në qytetin e Vushtrrisë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se e mitura ishte raportuar e zhdukur më 16 mars dhe nuk dihej asgjë për fatin e saj, deri më 18 mars, ku një njësi policore ra në gjurmët e saj.

Sipas informacioneve të para, vajza 13-vjeçare gjatë kësaj kohe ka qëndruar me dy persona, të cilët dyshohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale me të. Dy personat në fjalë, të moshës madhore, dyshohen se e kanë dhunuar vajzën në disa motele të ndryshme.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se pasi vajza u gjet, është dërguar në spital për ekzaminimet e nevojshme dhe më pas ka dhënë deklaratën e saj lidhur me atë se çfarë kishte ndodhur gjatë kohës që ajo ishte larg shtëpisë.

Njësitet policore janë vënë menjëherë në lëvizje për t’i kapur personat e dyshuar dhe si rezultat njëri prej tyre është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor dhe është iniciuar rasti në drejtim të veprës penale ‘Dhunimi’.