Ekskluzive: Ky është i arrestuari për rastin e dhunimit të 13-vjeçares nga Suhareka

Gazeta Sinjali raportoi sot për një tjetër rast tronditës të dhunimit të një vajze të mitur nga Suhareka që dyshohet se ka ndodhur së fundmi. Viktima 13-vjeçare, e cila u raportua e zhdukur dhe u gjet pas dy ditësh dyshohet se është keqtrajtuar seksualisht nga dy persona. Njëri prej tyre tashmë është arrestuar, teksa kanë nisur hetimet për t’i zbardhur rrethanat e rastit.

Lajmi është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Prizren, me ç’rast është bërë e ditur se rasti është iniciuar dhe po vazhdojnë hetimet për ta zbuluar edhe të dyshuarin e dytë.

Por kush është personi që u kap nga Policia dhe e pranoi që kishte qëndruar me të miturën?

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që u arrestua për këtë rast është Durak Daka, rreth 21-vjeçar, ndaj të cilit është urdhëruar masa e ndalimit policor.

Çka dihet për ngjarjen e trishtë?

Siç raportoi Sinjali, edhe Policia e konfirmoi se rasti u zbulua pasi  13-vjeçarja nga Suhareka u denoncua e zhdukur nga familja e saj dhe Policia arriti ta gjejë atë në qytetin e Vushtrrisë. E mitura ishte raportuar e zhdukur më 16 mars dhe nuk dihej asgjë për fatin e saj, deri më 18 mars, ku një njësi policore ra në gjurmët e saj.

Sipas informacioneve të para, vajza 13-vjeçare gjatë kësaj kohe ka qëndruar me dy persona, të cilët dyshohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale me të. Të njëjtit dyshohen se e kanë dhunuar vajzën në disa motele të ndryshme.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se pasi vajza u gjet, është dërguar në spital për ekzaminimet e nevojshme dhe më pas ka dhënë deklaratën e saj lidhur me atë se çfarë kishte ndodhur gjatë kohës që ajo ishte larg shtëpisë.

Njësitet policore janë vënë menjëherë në lëvizje për t’i kapur personat e dyshuar dhe si rezultat njëri prej tyre është arrestuar.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit, i riu është dërguar në mbajtje dhe brenda afatit ligjor pritet të ndërmerren veprimet e nevojshme.