Derisa intervista ‘maratonike’ e Martin Berishajt në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës vazhdon, Nacionale bisedoi për skandalin e tij me aktivistin malazez Vesko Pejak.
Berishaj po intervistohet prej orës 8:30 të mëngjesit të sotëm në Prokurorinë Speciale.
Detajet janë të pakta, derisa avokati i tij Tomë Gashi ka dalë me një shkrim të shkurtër por që nuk sqaron shumë nga pikëpyetjet që mbesin pas këtij intervistimi.
Gashi ka deklaruar se deklarata e dhënë nga ana e Martin Berishajt është “konfidenciale” në shkrimin që zor të lexohet shkaku i gabimeve të shumta drejtshkrimore.
“Martin Berishaj qysh me 27. 01. 2023 ka paraqitë kërkesë për të dhënë deklaratë sqaruese në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës lidhur me pretendimet që kanë dalë në media. Martini tashmë ka dhënë deklaratë në PSRK.” – është shprehur z. Gashi mes tjerash.
Aktivisti Pejak
Aktivisti Pejak i tha Nacionales në intervistën e shkurtër se gjatë hulumtimeve të tij ka marrë vesh prej burimesh të brendshme se Berishaj paratë e tij të tërhequra nga kompania M&B Consulting i dërgonte te kryeministri ynë, Albin Kurti.
“E dimë nga një burim i brendshëm se ai po transferonte ato para te Albin Kurti, kryeministri i Kosovës.” – na tha Pejak, i bindur për një gjë të tillë.
Ai po ashtu tha se ambasadori Berishaj ka përdorur favoret e tij diplomatike që t’i mbulonte gjurmët dhe të dërgonte para pa u kontrolluar.
Kujtojmë se raportimet për skandalin e Martin Berishajt kishin nisur dy vjet më herët nga disa media sllovene. Kryeministri Kurti me vartësit e tij vazhdimisht e kanë mbrojtur ambasadorin Berishaj përkundër presionit të madh nga opozita që ai të jepte dorëheqje.
Në lidhje me intervistën e sotme nuk ka ende ndonjë deklaratë as nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.