Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, ka reaguar ndaj regresit së lirisë së mediave në Kosovë.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se Indeksi i Reporterëve pa Kufij, ku Kosova rendit 19 vende më poshtë se vitin e kaluar, është shqetësues.
Sipas saj, për këtë “sukses” duhet të “duartrokitet” kryeministri Albin Kurti.
“Liria e medias është themeli i një shoqërie të hapur dhe të drejtë! Kur media është e lirë, opinionet ndryshojnë, ide të reja shfaqen, dhe demokracia forcohet. Kur mediat cenzurohen, zërat që duhet të dëgjohen mbeten të heshtur, dhe shoqëria humbet një pjesë të çmuar të pluralizmit të mendimeve. Andaj, është tejet shqetësuese që në vitin 2024, Kosova të renditet 19 vende më poshtë për lirinë e medias nga Reporterët pa Kufi. Sigurisht, ”duartrokitjet’’ shkojnë për Albin Kurtin, për këtë “sukses” që po ia bën Kosovës”, ka shkruar Bytyqi.
Kosova ka rënë për 19 vende në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, përkatësisht këtë vit renditet në vendin e 75 në botë nga 180 shtete, për dallim nga viti i kaluar që ishte në vendin e 56-të.
Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij më 3 maj, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, thuhet se mediat në Kosovë, pavarësisht se vazhdojnë t’i mbajnë përgjegjës politikanët, gazetarët vazhdojnë të jenë “cak i sulmeve politike”.