Egnatia arriti që të fitojë dy trofe këtë edicion duke dominuar gjatë gjithë sezonit, si dhe Final 4. Skuadra rrogozhinase pasi mundi Kukësin në finalen e Kupës, më pas triumfoi dhe përballë Partizanit në finalen e titullit. Drejtuesit kanë nisur përgatitjet për sezonin e ri, të cilin do e nisin në Champions League, por në anën tjetër rrezikojnë që të humbasin një prej elementëve më të rëndësishëm të formacionit.
Burime të sigurta për SuperSport, bëjnë me dije se në zyrat e Egnatias ka mbërritur një ofertë zyrtare nga Ballkani për Edison Ndrecën. Mbrojtësi kurbinas ka realizuar një sezon perfekt, teksa në kampionat ka shënuar 3 gola e ka dhënë 6 asiste, ndërkohë që ishte 29-vjeçar ai që shënoi dhe golin në finalen e Kupës së Shqipërisë kundër Kukësit.
Mbetet për t’u parë nëse oferta financiare e kampionëve të Kosovës do të bindë drejtuesit e Egnatias për të lënë të lirë mbrojtësin e krahut, i cili këtë sezon ka qenë një nga më të mirët në radhët e skuadrës së Tetovës. Ndreca ka një karrierë të pasur, pasi ka luajtur më herët dhe me Kukësin, Bylisin, Laçin, Teutën, Kastriotin, Besëlidhjen dhe Burrelin.
Ballkani është skuadra që ka shkruar historinë, teksa ka luajtur 2 herë në grupet e Conference League dhe tani synon që të ndërtojë një skuadër të fortë që të përsërisë sërish të njëjtin sukses në arenën ndërkombëtare