Vajzat dhe gratë janë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve, sulmeve seksuale e dhunimeve. Të tilla ngjarje të trishta shpesh ndodhin edhe në hapësira publike, institucione e biznese të ndryshme. Kështu ka ndodhur së fundmi edhe te Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, ku një instruktor i një autoshkolle po dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një kandidate, shkruan Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht detajet e këtij rasti, që u denoncua të premten në Polici dhe si rezultat i dyshuari përfundoi në pranga.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se i dyshuari është Vesel Elshani, rreth 70-vjeçar, instruktor në një autoshkollë, pronë e tij, ku viktima (22-vjeçare) ishte regjistruar për marrjen e patentë shoferit.
Sipas informacioneve të para, rasti ka ndodhur gjatë kohës sa viktima ishte duke i zhvilluar orët e vozitjes dhe ndodhej bashkë me të dyshuarin në veturë, kur u përball me veprimet e tij të tmerrshme.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se instruktori i dyshuar fillimisht e ka prekur me duar, pa dëshirën e saj, e më pas është kapur në flagrancë nga vajza duke e filmuar me telefonin e tij.
Kjo situatë e alarmoi viktimën, e cila kërkoi ndihmën e Policisë, duke e raportuar rastin.
Pasi Policia është vënë në dijeni, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe është siguruar prezenca e të dyshuarit.
I njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ndër të tjera ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë qëllim të caktuar, raporton Sinjali.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Ngacmim seksual”.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.