“Dy duar për një kokë e kokën për atdhe”, në Podujevë vendosen pankarta për Faton Hajrizin

Vrasja e Faton Hajrizit nga autoritetet në Serbi, pasi që ky i fundit u tha se kishte vrarë një zyrtar policor serb dhe kishte plagosur një tjetër, ka nxitur reagime të shumta.

Shumë prej qytetarëve në rrjetet sociale, e kanë përkrahur atë në veprimet e tij, ndonëse ishte arratisur nëntë herë nga burgu.

Së fundmi në qytetin e Podujevës dy persona të maskuar thuhet se kanë vendosur një pankartë të Hajrizit.

“Dy duar për një kokë e kokën për atdhe”, është mbishkrimi në këtë pankartë. Pamjet janë publikuar nga media lokale.

I arratisuri nga burgu i Smrekonicës në Kosovë, Faton Hajrizi, është raportuar të jetë vrarë nga autoritetet në Serbi të premten.

Hajrizi ka qenë në kërkim nga autoritetet serbe, pasi më 18 korrik është raportuar se e ka vrarë një zyrtar policor serb dhe e ka plagosur një tjetër, gjatë një kontrolli rutinor në Lloznicë të Serbisë, qytezë në afërsi me Bosnje-Hercegovinën.

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje të shtunën për nisjen e një hetimi vendor dhe ndërkombëtar për, siç ka thënë ajo, nxitjen dhe organizimin e arratisjeve të të burgosurve nga burgjet e Kosovës për në territorin e Serbisë.

Ministrja Haxhiu ka thënë se nuk dihet me siguri nëse Hajrizi është vrarë dhe nëse apo, a ka ndodhur akti në Serbi, apo në Republikën Srpska të Bosnje-Hercegovinës.

“Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti”, ka thënë ajo.