Numri i rasteve të dhunës në familjet kosovare është në rritje çdo ditë e më shumë. Jo rrallëherë ndodh që në Polici të denoncohen edhe problemet mes çifteve nga diaspora, të cilët i zë sherri posa arrijnë në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është denoncuar së fundmi nga një grua në Viti, e cila e ka raportuar bashkëshortin e saj, me të cilin është e martuar qe rreth 30 vjet – por jetojnë të ndarë në Zvicër.
Sinjali mëson se viktima ka kërkuar ndihmë në Polici, duke pretenduar se burri i saj e ka penguar që të shkojë në pushime me fëmijët e tyre – për të cilët përkujdeset ajo.
Bazuar në dëshminë e saj, i dyshuari edhe ka ushtruar dhunë, duke e goditur – çka e shtyri atë që ta raportojë rastin.
Si rezultat, Policia është aktivizuar dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, duke siguruar prezencën e të dyshuarit.
I njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar si i dyshuar për këtë rast.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Dhuna në familje”.