Shqipëria nis Lojërat Olimpike me Manjola Koninin, KOKSh “bën humor” me rezultatin

Shqipëria nisi prezantimin e saj në Lojërat Olimpike “Paris 2024” që në ditën e parë me Manjola Koninin, qitësen shqiptare që mbylli garën e saj të parë në Paris në disiplinën e qitjes me Pistoletë Ajri 10 metra.

Sportistja shqiptare nuk arriti të kualifikohej dhe pati një rezultat jo të kënaqshëm, megjithëse lajm më vete përbën njoftimi në faqen zyrtare të KOKSH në rrjetet sociale ku shkruhet: “Manjola Konini ka mbyllur garën e saj të parë në Paris, në disiplinën e Qitjes, 10m Air Pistol, duke u renditur në vendin e 43-të. Sportistja e Team Albania në garën e saj kualifikuese arriti të grumbullonte 549 pikë dhe la pas në renditjen sportistet e Greqisë dhe Egjiptit”.

Një njoftim që në fakt nuk bën sens, në stilin e propagandës së para viteve 90-të kur mjetet e informimit ishin të kufizuara në maksimum. Kjo pasi nëse i hedh një sy faqes zyrtare të Olimpiadës, në rezultatet e kësaj gare vihet re se qitësja shqiptare me vendin e 43, në fakt ka dalë e fundit nga të gjithë garuesit, pasi sportistja greke nuk e ka përfunduar garën, ndërsa ajo egjiptiane nuk e ka nisur fare, pra thënë shqip qitësja shqiptare është renditur e fundit.