Mërgimtarëve u mundësohet kthimi i shtetësisë pa pagesë, opozita e sheh si vendim elektoral

Heqja dorë nga shtetësia e Kosovës dikur ka qenë e obligueshme për disa mërgimtarë, ndërsa tani rimarrja e saj është lehtësuar.

Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporës ka marr vendim që rikthimi i shtetësisë së Kosovës të jetë pa pagesë, me procedura të lehtësuara dhe e shpejta.

Këtë vendim e ka përshëndetur deputetja e Aleancës për Ardhmërinë Kosovës njëherësh anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Time Kadrijaj.

“Shqiptarët do e kthejnë shtetësinë sepse janë shqiptar, ndihen shqiptar dhe kanë kontribuar për vendin”, tha ajo.

Megjithatë, Kadrijaj përmes një prononcimi për portalin Arbresh.info ka akuzuar Qeverinë dhe kryeministrin Kurti se po merren vendime vetëm për efekte elektorale.

“Tash të gjitha vendimet e Qeverisë Kurti, edhe vendimi për rritjen e shtesave për fëmijët edhe vendimi për lirimin nga pagesa që nuk është ndonjë pagesë e madhe, po bëhet efekte elektorale. Kryeministri, që ka marr besim edhe votë nga diaspora, është dashtë që të fokusohet në tema tjera, është dashtë ligjin e diasporës që është e mbërritura më e mirë edhe që ju ka premtuar, edhe që tri vite nuk sjellët në agjendë legjislative ligji i diasporës që e rregullon në një far forme statusin e diasporës. Nuk e ka asnjë kontribut sepse ne e dimë që kanë vështirësi në mësimet plotësuese në gjuhën shqipe që s’po kontribuon fare. Ne i mirëpresim vendimet dhe veprimet e tilla që i ka për efekt elektoral. Megjithatë unë e përshëndes vendimin dhe i ftoj të gjithë bashkatdhetarët që janë kushtëzuar për lirimin nga shtetësia e Kosovës për marrjen e shtetësisë së huaj, sidomos në Gjermani, që të kthehen në Kosovë të pajisen me dokumente dhe ta kthejnë nënshtetësinë sepse janë qytetarë të Kosovës”, ka deklaruar Kadrijaj.

Megjithëkëtë, deputetja e AAK-së, theksoi se nga ky vendim nuk pritet që të rritet numri i mërgimtarëve që dëshirojnë të rimarrin shtetësinë kosovare.

“Nuk ndikon ky vendim që shqiptarët me e kthy shtetësinë, ata do e kthejnë për shkak të dëshirës e dashurisë që e kanë për Kosovën, për shkak se ndihen shqiptar dhe që janë të lumtur që shteti gjerman ua ka mundësuar me e kthy shtetësinë dhe nuk e mendoj që do e rrisë numrin e shqiptarëve për shtetësi ky vendim. Shqiptarët do e kthejnë shtetësinë se kanë dëshirë me e kthy shtetësinë sepse janë shqiptar, ndihen shqiptar kanë kontribu për vendin për kombin”, deklaroi në fund ajo.

Lidhur me këtë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti në një prononcim për Arbresh.info ka potencuar se kur është çështja për rimarrje të shtetësisë ligji duhet të ribëhet ose amandamentuar.

“Çdo vendim që bazohet në ligj është valid dhe me siguri që duhet të ketë arsyetimin e duhur. Sa i përket ligjit për shtetësinë, që neve e kemi, domosdoshmërisht që duhet ribërë ose amandamentuar, kur bëhet fjalë për rimarrjen ose dhënien e shtetësisë. Ligji është bërë pa analizat e duhura duke mos marrë parasysh disa gjëra”, ka thënë Haliti.

Tutje anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë e ka quajtur vendimin elektoral.

“Ne kemi shpërnguljet e dhunshme e të mëdha , prandaj duhet gjetur mënyra se si me ligj tua njohim të drejtën për shtetësi fëmijëve të të shpërngulurve së pari atyre nga dhuna dhe fëmijëve të tyre. Sa i përket vendimit elektoral të ministres, nëse është bazuar në ligj është në rregull”, u shpreh Haliti.

Ndryshe, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla të mërkurën ka deklaruar se rikthimi i shtetësisë së Kosovës është një akt jo vetëm simbolik.

“Lidhet me shumë të drejta që janë të rezervuara vetëm për qytetarët e Kosovës, si e drejta për të votuar dhe për t’u votuar. Kosova ka nevojë për ju. Prandaj, aplikoni sa më parë pranë konsullatave tona ose në komunën prej nga vini dhe bëhuni sërish shtetas të Republikës së Kosovës!”, tha Gërvalla.

Edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti u ka bërë thirrje mërgimtarëve që të rimarrin shtetësinë e Kosovës.

“Rimarrjen e shtetësisë së Republikës e kemi bërë falas, ndonëse ajo është e paçmueshme. Të dashur mërgimtarë, Mirë se vini në vendlindje, e ju mirëpresim përsëri si bashkështetas”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

Më parë, tarifat për rikthimin e shtetësisë varijonin nga 370, 250 dhe 200 varësisht nga shteti ku bëhej aplikimi.

Po ashtu, tarifat janë ulur edhe për shërbime të tjera konsullore si pajisja me pasaporta, letërnjoftime e shërbime të tjera në konsullata e ambasada të Republikës së Kosovës.