Caktimi i datës së zgjedhjeve, partitë i përgjigjen ftesës së presidentes

Partitë politike kanë nisur ta konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga presidentja për t`u konsultuar për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Nga Lëvizja Vetëvendosje thanë se janë të gatshëm për zgjedhje kurdo që ato shpallen, ndërsa lidhur me datën e mundshme, ata do ta japin propozimin në takimin me presidenten, pas vlerësimit të të gjitha rrethanave.

“Është e rëndësishme që për herë të parë në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë një qeveri dhe legjislaturë po e mbyllë një mandat të plotë. Kjo falë mbështetjes plebishitare të qytetarëve në zgjedhjet e kaluara si dhe qeverisjes së mirë dhe legjislativit të suksesshëm. Sa i përket datës së zgjedhjeve, Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet nuk lënë shumë opcione dhe ato opcione ligjore që ekzistojnë e që janë katër data nuk janë larg njëra tjetrës”, tha Alim Rama, sekretar organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje.

E sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se do të marrin pjesë në takim por sipas saj, kjo ftesë nuk ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme, pasi një gjë të tillë ka kohë që e kërkon PDK-ja.

“PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim kushtetues dhe ligjor që të marrim në një takim të tillë. Ju e dini mirë që PDK-ja që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme por me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta dhe ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe datës e preferuar do ta themi aty”, tha Çitaku.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka lënë të kuptohet se do të marrë pjesë në takim, por zëdhënësi i partisë ka theksuar se vendimi do të merret të hënën nga strukturat e partisë.

“Po kemi pranuar letren nga Presidentja. Në bazë të kesaj letre presidentja konsultimet do t’i zhvilloje për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme brenda afatit të rregullt. Nuk shoh ndonjë arsye që Aleanca të mos jetë pjesë e konsultimeve por sidoqoftë vendimet për këtë çështje do t’i marrin strukturat e partisë, besoj ditën e hënë, ka thënë Kushtrim Xhemajli, zedhenës i AAK-së.