Burri në Malishevë u hyn dajak gruas e vajzës pas sherrit për punët e shtëpisë, ato e denoncojnë

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në një familje në fshatin Banjë të Malishevës, ku një person dyshohet se ka rrahur bashkëshorten dhe vajzën e tyre.

Sinjali mëson se si pasojë e dhunës së përjetuar, gruaja bashkë me vajzën 19-vjeçare kanë kërkuar ndihmën e Policisë, duke e denoncuar atë që kishte ndodhur në shtëpinë e tyre.

Bazuar në dëshmitë e viktimave, motivi i dhunës dyshohet se lidhet me punët e shtëpisë, për çka edhe plasi sherri.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor, kurse gruaja dhe vajza e tij janë dërguar për trajtim mjekësor.

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij dhe inicimin e rastit për veprën penale “Dhuna në familje”.