Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që të distancohet nga qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti.
Në një konferencë për media, Haradinaj ka thënë se Osmani duhet t’iu kërkojë falje qytetarëve pasi sipas tij ky veprim asnjë premtim nga kjo qeveri nuk është plotësuar.“Presidentja bën mirë që të distancohet nga Qeveria në tërësi. Për shkak se presidentja dikur ka kërkuar votë për këtë opsion qeverisës, pra për Kurtin. Nëse vota atëherë është kërkuar për një perspektivë euro-atlantike atëherë kjo s’ka dalur të jetë ashtu. Ka kërkuar votë për zhvillim ekonomik dhe ka dalur e kundërta, i takon presidentes që të distancohet nga kjo qeveri. Presidentja në një mënyrë duhet t’i kërkoj falje edhe qytetarëve të vendit për mosrealizimin e premtimeve”, ka deklaruar Haradinaj.Ai ka listuar tre arsye pse kjo parti e ka propozuar 26 janarin si datë të zgjedhjeve në takimin e partive politike me presidenten Osmani.
Sipas tij, vendi duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme të Qeverisë, të cilat ai i ka ndarë në tri grupime – “dështimet në marrëdhëniet ndërkombëtare, ato ekonomike dhe kapja e institucioneve të vendit”.“Ju kam ftuar këtu për tri grupime të dështimeve të Qeverisë së vendit, të cilat janë edhe arsyeja pse AAK e ka propozuar 26 janarin si datë të zgjedhjeve. Së pari, dështimet në marrëdhëniet e jashtme, me aleatët më të rëndësishëm të Kosovës, BE dhe ShBA. Grupimi i dytë i dështimeve janë në kapjen e institucioneve të pavarura. Nuk ka mbetur asnjë institucion që nuk i është armiqësuar kjo qeveri. Grupimi i tretë ka të bëjë me dështimet ekonomike, mos-investimi dhe mos-rritja e pagave e deri te paaftësia për të ndaluar rritjen enorme të çmimeve. Këto janë arsyet kryesore edhe pse në takimin e djeshëm e propozuam 26 janarin si datë të zgjedhjeve, në mënyrë që Kosovës t’ia shkurtojmë për disa javë këtë gjendje dëshpëruese”, ka vijuar Haradinaj.Ai ka komentuar edhe mungesën e kryeministrit Kurti në takimin me Osmanin duke e quajtur këtë “mosrespekt” nga ana e tij.“Mosrespekt i Kurtit, nuk guxon me pasë aktivitete tjera kur e fton presidentja e vendit për një temë si zgjedhjet nacionale”, ka theksuar ai.