Maqedonia e V. vendos që të mos ekstradojë ish-ushtarin e UÇK-së, Blerim Ramadani

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka njoftuar se Gjykata Themelore në Shkup ka marrë vendim për mosekstradimin e Blerim Ramadanit, ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se Paneli i Gjykatës Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim për mosekstradimin e shtetasit tonë, z. Blerim Ramadani”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

MPJD ka njoftuar se Ramadani do të vazhdojë të qëndrojë në arrest shtëpiak në Shkup deri në verdiktin final të Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Rikujtojmë se më 17 korrik 2024, në pikëkalimin kufitar Jazhincë/Glloboqicë, është ndaluar shtetasi ynë, z. Blerim Ramadani, ish-pjesëtar i UÇK-së, në bazë të një fletëarresti të Serbisë të lëshuar rishtazi nga INTERPOL. Z. Ramadani do të vazhdojë qëndrimin në arrest shtëpiak në Shkup deri në verdiktin final (ex officio) të Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet tutje në njoftim.