Lidhja Demokratike e Kosovës po mban punëtori dy ditore, me të gjithë kryetarët e degëve të saj nëpër Kosovë lidhur me zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Në njoftimin e LDK-së thuhet se këto dy ditë, Abdixhiku me nënkryetarët e LDK-së dhe kryetarët e degëve të saj në Kosovë, po diskutojnë rreth çështjeve organizative, caktimin e shtabeve elektorale, përcaktimin e vëzhguesve, komisionerëve dhe orarit të takimeve nëpër teren gjithandej Kosovës, duke filluar nga tash dhe për të vazhduar tutje deri në fushatë.
“Seriozitetin e paraprirjes për garën e ardhshme elektorale shumë muaj më herët, e tregon ky nivel i organizimit i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili është edhe reflektim i unitetit tonë partiak. E po ashtu edhe hartimi i programit politik “Rruga e Re” që nga nëntori i vitit të kaluar”, thuhet në njoftim.
“Ku pas tij, organizimi ynë struktural bëhet ngjarja më e rëndësishme partiake. I tillë siç ka nisur, ai do të përcillet në nivel nacional tek 887 nëndegët tona në Kosovë e në Mërgatë nga tani deri në fushatë. Lidhja po vjen e organizuar, e reformuar, e unifikuar dhe e gatshme për betejën përpara. Prandaj, ‘Rrugën e Re’ le ta bëjmë bashkë!”, thuhet më tej.