Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, seancën e parë të sesionit vjeshtor e ka nisur me kritika ndaj qeverisë.
Ai tha se për katër vjet, Kosova nuk ka asnjë njohje e asnjë anëtarësim, duke thënë se vendi ynë po udhëhiqet nga politika të papërgjegjshme.
“Në pabesinë më të madhe historike kemi zënë vendin e ankuesve ndaj aleatëve tanë, i sulmojmë ata, i godasim ata për të marrë në fund asnjë rezultat veçse vulën e fajtorit dhe njollën e një shteti të vetmuar. Për katër vjet nuk kemi asnjë njohje, prandaj për katër vjet nuk ka asnjë anëtarësim, prandaj Kosova është nën masa e sanksione. Në momente të rëndësishme historike udhëhiqesh nga politika të papërgjegjshme”, tha Abdixhiku.
Kreu i LDK-së, tutje përmendi edhe çështjen e Urës së Ibrit, duke thënë se ka një urë tjetër në Badovc, me të cilën qeveria nuk merret.
“Askush nuk ishte kundër, të gjithë ishim për. Jam dhe jemi kundër përplasjes me NATO-n, për ta thënë shkurt e shqip, sepse ka një vijë që nuk e kalojmë dot. NATO dhe Kosova janë bashkë. Asnjëherë përballë. Ky është orientimi popullor i Kosvoës. Përveç urës së Ibrit ka një urë në Badovc, aty nuk ka as NATO as media, aty s’ka asnjë pengesë që kjo urë të përfundojë tash e sa vjet. Mijëra vetura kapërcëjne rrugën që nuk ka urë, por qeverinë nuk e ke aty as duke lyer e as duke testuar e ndërtuar atë. Kjo është zgjedhja jonë sot”, u shpreh më tej Abdixhiku