Përmbushja e Premtimeve Zgjedhore nga Kryetarët e Komunave: Një Vlerësim i Ri nga Instituti GAP

Në platformën elektronike “Letërnjoftimi i komunave”, Instituti GAP me përkrahje të Helvetas/Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahje Komunave (DEMOS), ka publikuar shkallën e përmbushjes së premtimeve zgjedhore të dhëna nga kryetarët e komunave për mandatin 2021-2025. Ky përditësim përfshin periudhën deri në fund të qershorit 2024.

Nga gjithsej 1,816 premtime të dhëna nga 27 kryetarë të komunave, 765 premtime apo 42% janë përmbushur plotësisht, 304 premtime apo 17% konsiderohen gjysmë të përmbushura, 326 premtime apo 18% janë të filluara, ndërsa 421 premtime apo 23% ende nuk kanë filluar dhe nuk është ndërmarrë asnjë hap për përmbushjen e tyre.

Përmbushja sipas Fushave

Vlerësuar sipas fushave, përqindja më e lartë e premtimeve është përmbushur në fushën e administratës dhe atë të shëndetësisë me 66%, pasuar nga fusha e arsimit, bujqësisë dhe ekonomisë me së paku 50% të premtimeve të dhëna. Fushat me përmbushjen më të ulët të premtimeve janë infrastruktura, urbanizimi dhe shërbimet publike.

Krahasimi me Vitin e Kaluar

Krahasuar me përditësimin e vitit të kaluar, ku përqindja e premtimeve të përmbushura ishte 26%, këtë vit kjo përqindje është rritur në 42%. Tek premtimet gjysmë të përmbushura, përqindja është rritur nga 16% në 17%, ndërsa për premtimet e filluara, përqindja ka rënë nga 23% në 18%. Për premtimet e pafilluara, ka pasur një rënie nga 35% në 23%.

Fokusimi në Administratë dhe Shëndetësi

Për dallim nga vitet e kaluara, kur përmbushja e premtimeve ishte kryesisht e fokusuar në fushën e infrastrukturës, këtë vit kjo vërehet më shumë në fushën e administratës dhe shëndetësisë. Në fushën e administratës, premtimet kanë përfshirë rritjen e transparencës në vendimmarrje, publikimin e akteve komunale, përfshirjen e grave në pozita udhëheqëse, respektimin e procedurave ligjore gjatë rekrutimeve për vendet e punës dhe thjeshtimin e procesit të dokumenteve zyrtare përmes digjitalizimit. Në fushën e shëndetësisë, premtimet lidhen me rritjen e orarit të ofrimit të shërbimeve shëndetësore, modernizimin e pajisjeve, përmirësimin e cilësisë dhe përgjegjësisë gjatë ofrimit të shërbimeve, kontrollet specifike mjekësore për kategori të veçanta, si dhe përmirësimin e kushteve të punës dhe shërbimeve në shëndetësinë primare.

Sfidat në Urbanizim dhe Infrastrukturë

Ndërsa numri më i ulët i premtimeve të përmbushura është në fushën e urbanizimit dhe infrastrukturës. Nga gjithsej 41 premtime të dhëna nga 27 kryetarë komunash në fushën e urbanizimit, deri më tani janë përmbushur vetëm 11. Këto premtime përfshijnë hartimin e planeve rregulluese, planeve zhvillimore urbane, hartave zonale, si dhe përshpejtimin e procesit të legalizimit dhe pranimeve teknike të objekteve në terren.

Monitorimi Periodik

Instituti GAP bën monitorim periodik të realizimit të premtimeve në 27 nga 38 komuna të Kosovës, ngase disa nga kryetarët aktualë nuk kanë zhvilluar fushatë aktive zgjedhore. Kryetarët e komunave sikurse Mamusha dhe të dhjetë komunave të banuara me popullsi me shumicë serbe, nuk kanë shpalosur ndonjë program zgjedhor dhe nuk kanë dhënë premtime konkrete. Vlerësimi i premtimeve bëhet në mënyrë periodike edhe përmes bashkëpunimit me organizatat lokale. Ky është vlerësimi i tretë për këtë mandat qeverisës të nivelit lokal.

Zgjidhni kandidatëttuaj të preferuar për deputet nga Suhareka! 🗳️

Kandidati juaj i preferuar per Kryeminister?

TE FUNDIT