(VIDEO) Shi raketash iraniane mbi Izrael, momenti tronditës kur mbetja e një rakete bie mbi një person

Irani u hakmor mbrëmjen e sotme për vrasjen e liderit të Hezbollahut në Liban, Hassan Nasrallah, duke lëshuar disa qindra (të paktën 180, thotë ushtria izraelite) raketa balistike dhe lundruese drejt Izraelit.

Sulmi zgjati rreth një orë dhe sipas zëdhënësit të Pentagonit, Pat Ryder, kishte “dyfishin e rrezes” se atij të 14 prillit.

Popullsia izraelite u strehua në bunkerë, ndërsa sistemi mbrojtës izraelit “Iron Dome” falë edhe ndihmës së amerikanëve, kapi një pjesë të mirë të raketave.

Sakaq, një video që po bën xhiron e mediave sociale tregon mbetjen e një rakete iraniane që bie në Bregun Perëndimor dhe godet një palestinez që ishte në rrugë.

Pas sulmit Teherani mbylli hapësirën ajrore në pritje të një reagimi nga ana e Izraelit që është paralajmëruar se do të ndodhë sot nga IDF.

Garda Revolucionare e Iranit reagoi po ashtu duke thënë se kanë goditur tre baza ushtarake izraelite pranë Tel Avivit.

“Ne shënjestruam zemrën e territoreve të pushtuara sot në përgjigje të vrasjes nga Izraeli të liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe një komandanti të lartë të Forcave Quds, Abbas Nilforoushan”, tha Pasdaran duke paralajmëruar se do të ketë “sulme shkatërruese” nëse Izraeli do të përgjigjej.

Televizioni publik iranian shtoi më pas se në sulm janë përdorur raketa hipersonike të prodhuara nga prodhuesi iranian Fatah.