Alonzo Verge Jr., një nga lojtarët më të spikatur të sezonit të kaluar në basketbollin kosovar, mund të rikthehet sërish te Golden Eagle Ylli.
Sipas informacioneve të AsistiOnline, Verge ka gjasa të kthehet në klubin nga Suhareka. Burime të Klankosova.tv raportojnë se drejtuesit e nënkampionit aktual të Kosovës kanë kontaktuar me yllin amerikan të parketit, por ende nuk ka diçka konkrete.
Gjatë verës, Verge ishte transferuar te Yalovaspor, skuadër e cila këtë vit debuton në Superligën e Turqisë. Megjithatë, lojtari duket se është larguar nga ekipi pa zhvilluar asnjë ndeshje.
Sezonin e kaluar, Verge ishte koshashënuesi më i mirë i Superligës së Kosovës, me një mesatare prej 24.2 pikësh për ndeshje, raportoi Klankosova.tv. Me Golden Eagle Yllin, ai arriti deri në ndeshjen vendimtare të PlayOff-it, ku u mposhtën nga Trepça me vetëm një pikë diferencë, 67-66.
Një nga momentet më të paharrueshme të Verge ishte kur theu një rekord historik për lojtarët e huaj në basketbollin kosovar, duke shënuar 52 pikë në një ndeshje ndaj Pejës, në të cilën Ylli shënoi gjithsej 92 pikë, përballë 86 pikëve të Pejës.