Familja Gashi nga fshati Dubravë i Suharekës po dëshmon se me vizion dhe përkushtim të lartë, investimet në bujqësi mund të sjellin një ndikim të madh ekonomik dhe të shërbejnë si model për zhvillimin e qëndrueshëm në vend. Duke investuar vetë në një fermë moderne për blegtori, familja Gashi ka treguar se dëshira për të kontribuar në zhvillimin e bujqësisë është e rrënjosur thellë në komunitetin e saj.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, vizitoi sot fermën e familjes Gashi, duke vlerësuar përpjekjet e tyre dhe duke theksuar rolin e rëndësishëm që kanë investime të tilla për zhvillimin rural në Kosovë. Ministria ka mbështetur financisht këtë projekt, duke ndihmuar fermën me një grant prej 81,500 eurosh për mekanizma bujqësorë, një ndihmë që jo vetëm lehtëson punën e përditshme, por edhe nxit prodhimtarinë.

Veç fermës së blegtorisë, Avniu, njëri nga anëtarët e familjes, ka investuar në një plantacion prej 15 hektarësh me arra, duke e bërë këtë projekt një burim të rëndësishëm për ekonominë lokale. Ky plantacion i arrave jo vetëm që forcon bazën ekonomike të familjes, por gjithashtu ndikon pozitivisht në ruajtjen e natyrës dhe promovimin e bujqësisë së qëndrueshme në rajon.

Ministri Peci u shpreh i lumtur me progresin e bërë dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të këtyre përpjekjeve në çdo cep të Kosovës. “Jemi të angazhuar të ofrojmë mbështetje për fermerët tanë, për t’i ndihmuar ata të rrisin kapacitetet e tyre dhe të sjellin zhvillim të qëndrueshëm në sektorin e bujqësisë. Familja Gashi është një shembull i qartë i suksesit që mund të arrihet me përkushtim dhe punë të palodhur,” tha ai.

Projekti i familjes Gashi përfaqëson një histori suksesi që i frymëzon të gjithë ata që dëshirojnë të investojnë në bujqësi. Me ndihmën e granteve shtetërore dhe përkushtimin e komunitetit lokal, Kosova po bën hapa të sigurt drejt një të ardhmeje ku bujqësia mbetet një shtyllë kyçe e zhvillimit ekonomik dhe social.

Zgjidhni kandidatëttuaj të preferuar për deputet nga Suhareka! 🗳️

Kandidati juaj i preferuar per Kryeminister?

TE FUNDIT