Në siri nis një epoke e re, por njëkohësisht edhe e pasigurt. Rrugët u mbushën sërish me automjete dhe qytetarët dolën jashtë pas një shtetrrethimi, por shumica e dyqaneve mbetën të mbyllura. Komandanti kryesor i rebelëve Ahmed al-Sharaa, i njohur si Abu Mohammed al-Jolani, u takua me kryeministrin Mohammed Jalali dhe zëvendëspresidentin Faisal Mekdad për të diskutuar marrëveshjet për një qeveri kalimtare. Al Jazeera, mediat siriane, por edhe ato arabe shkruajnë se kjo qeveri tranzitore do të drejtohet nga Mohamed Al-Bashir që do të jetë si kryeministri i përkohshëm.
Kryeministri i Asadit, Jalali, i tha Sky News Arabia se ishte gati të ofronte ndihmën e tij për transferimin e pushtetit. Shteti policor i Assadit ishte i njohur si një nga më të ashprit në Lindjen e Mesme, duke mbajtur qindra mijëra të burgosur politikë.
Disa video tregojne momentet e lirimit të mijëra të burgosurve nga burgu famëkeq ushtarak nëntokësor i Sednajasë, ku dyshohet se janë bërë masakra me të burgosurit e ku janë ekzekutuar mbi 30 mijë persona nga 2021-shi, kryesisht pjesëmarrës në revolta. Pamjet tregojnë se aty kishte edhe fëmijë.
Aq të izoluar ishin të burgosurit, sa nuk e kuptonin ç’po ndodhte dhe besonin se militantët ishin ushtarë të Assadit që po shkonin t’i ekzekutonin. Që kur rebelët hynë në Damask, ushtria izraelite mori nën kontroll zonën e demilitarizuar në lartësitë Golan dhe bombarduan depot e armëve kimike nga frika se arsenali i armëve mund të bjerë në duart e gabuara.