Të premten prej orës 12:00 në Zurich të Zvicrës do të tërhiqet shorti i kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2026 në futboll. Pjesë e shortit do të jetë edhe Përfaqësuesja e Kosovës.
Në short, Kosova do të jetë vetëm në vazon e katërt. Pra, të paktën në letër, do t’i ketë tre kundërshtarë më të fortë në grup. Ende pa u caktuar grupet dhe shumë muaj pa nisur kualifikimet, është e qartë që Kosova do ta ketë shumë të vështirë kualifikimin në Kupën e Botës që mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Kualifikimi do të ishte sukses i jashtëzakonshëm dhe historik, po ashtu.
Pos vazos, Kosovën nuk e favorizon shumë as e kaluara në kualifikimet e rregullta për Kupën e Botës, ngjarjen kryesore të lojës së futbollit.
Për Kosovën do të jetë hera e tretë që paraqitet në kualifikimet për Botëror. Prej dy cikleve të kaluara mund të mburret me vetëm një fitore e tri barazime. Ndërkohë që humbje ishin plot 14.
Kosova në kualifikime për Botëror është paraqitur dukshëm më zbehtë se në kualifikimet për Evropian, ndonëse edhe kualifikimi në ngjarjen kontinentale mbetet shumë i largët.
FFK-ja më 3 maj 2016 u bë anëtare e UEFA-s, ndërsa më 13 maj 2016 u anëtarësua edhe në FIFA.
Federata Ndërkombëtare njoftoi që Kosova e Gjibraltari, që po ashtu u pranua më 13 maj, do të paraqiteshin në kualifikimet për Botërorin 2018. I takonte UEFA-s të integronte dy përfaqësueset në kualifikime.
Më 9 qershor, UEFA njoftoi se Kosova do të jetë në Grupin I të kualifikimeve, për të shmangur përballjen me Bosnjë-Hercegovinën.
“Paneli Emergjent i UEFA-s u mblodh sot në Paris dhe vendosi që Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia nuk duhet të luajnë ndaj Kosovës për arsye sigurie. Rrjedhimish, Kosova u vendos në Grupin I të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2018, ndërsa Gjibraltari u vendos në Grupin H”, shkruan në njoftimin e UEFA-s të 9 qershorit të vitit 2016.
Kosova ende nuk lejohet të luajë me Serbinë e Bosnjë-Hercegovinën, kurse ndërkohë në listë u shtua edhe Rusia. Rusia aktualisht është e suspenduar nga UEFA.
Ndeshja e parë kualifikuese e Kosovës ishte më 5 shtator 2016 në Turku, në praninë e 7500 shikuesve. Kosova luajti 1:1 me Finlandën vendëse. Valon Berisha e shënoi golin nga penalltia në minutën e 60-të.
Ai barazim dha shpresë për kampanjë të suksesshme. Por shpresat për sukses morën goditje të madhe menjëherë më 6 tetor. Në “Loro Boriçi” në Shkodër, ku Kosova po luante si vendëse në mungesë të stadiumit të denjë në vend, pësoi 6:0 nga Kroacia. Humbje të tjera pasuan.
3:0 nga Ukraina në Krakow të Polonisë, 2:0 nga Turqia në Antalya, 2:1 nga Islanda në Shkodër, 4:1 nga Turqia në Shkodër, 1:0 nga Kroacia në Zagreb, 1:0 nga Finlanda në Shkodër, 2:0 nga Ukraina në Shkodër dhe 2:0 nga Islanda në Reykjavik.
Atë grup e fitoi Islanda me 22 pikë. Kroacia ishte e dyta me 20, Ukraina e treta me 17, Turqia e katërta me 15 dhe Finlanda e pesta me 9 pikë. Kosova e mbylli kampanjën e parë të saj kualifikuese me vetëm një pikë, falë atij barazimi historik me Finlandën.
Për herë të parë në short për kualifikimet e Botërorit, Kosova ishte më 7 dhjetor të vitit 2020. Atë ditë po tërhiqej shorti për kualifikimet e rregullta të Kupës së Botës 2022. Kosova ishte në vazon e pestë dhe shorti përcaktoi që të garojë në Grupin B. Sërish grupi ishte i fortë e po ashtu sfidues në aspektin politik.
Spanja, Greqia e Gjeorgjia ishin përfaqësueset e vendeve që nuk e njihnin dhe vazhdojnë të mos e njohin shtetin e Kosovës.
Kosova dëshpëroi që në nismë. Më 28 mars 2021, në “Fadil Vokrri” në Prishtinë pësoi 3:0 nga Suedia.
Më 31 mars 2021, në Sevilla humbi 3:1 nga Spanja. Fitorja e vetme deri më tani në kualifikime është ajo ndaj Gjeorgjisë më 2 shtator 2021 në Batumi, me rezultatin 1:0. Vedat Muriqi e kishte shënuar golin e tri pikëve.
Shtatori vazhdoi suksesshëm, pasi më 5 shtator u barazua 1:1 me Greqinë. Sërish golin e shënoi Muriqi. Më 8 shtator në Prishtinë, Kosova humbi 2:0 nga Spanja.
Në tetor 2021, Përfaqësuesja humbi 3:0 nga Suedia në udhëtim dhe 2:1 nga Gjeorgjia në Prishtinë, kurse në nëntor barazoi 1:1 me Greqinë në Athinë.
Bilanci në fund ishte: një fitore, dy barazime, pesë humbje. Pesë pikë mjaftuan vetëm për pozitën e fundit në grupin të cilin e fitoi Spanja me 19 pikë. 15 i kishte Suedia, dhjetë Greqia e shtatë Gjeorgjia.
Shpresat janë për pozitë më të mirë e për më shumë pikë në kualifikimet e ardhshme për Kupë Botërore. Shumë do të varet nga shorti i së premtes.