Aktakuza e re kundër Thaçit, juristi nga Belgjika paralajmëron dënim të ashpër – përmend rastin e Haradinajt dhe Gucatit!

Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi të premten një aktakuze të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kundër katër personave të tjerë për vepra penale që lidhen me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.

Në një njoftim për media, Dhomat e Specializuara të Kosovës thanë se aktakuza u konfirmua kundër Hashim Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut.

E në lidhje me këtë çështje, për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Së pari, ai rikujtoi se dënimet e Gjykatës Speciale për ndërhyrje në drejtësi, janë shumë të ashpra, në këtë rast përmendi rastin e Haradinajt dhe Gucatit.

“Karakteristikë e procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndër të tjerat, është edhe numri i madh i të akuzuarve që po ndërhynë në procesin gjyqësor duke penguar administrimin e drejtësisë. Fatkeqësisht, kjo ndërhyrje ka të bëjë me, shkeljen e fshehtësisë së procedurës, hakmarrjen, zbulimin e paautorizuar të informacioneve të mbrojtura, shantazhimimin dhe frikësimin e dëshmitarëve, të cilët kanë njohuri ose kanë qenë vet pjesë e keqtrajtimeve……. Prandaj, si rezultat i këtyre kërcënimeve, një pjesë e madhe e dëshmitarëve, që nga fillimi i procesit gjyqësor, kanë vendosur të dëshmojnë në seanca të mbyllura, si dëshmitar të mbrojtur dhe seanca të redaktuara. Duke u nisur nga rëndësia e këtij fakti, dënimet e Gjykatës Speciale për ndërhyrje në drejtësi, janë të ashpra dhe me burgim efektiv, siç ishte rasti i Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, të cilët u dënuan me nga katër vjet e gjysme burgim efektiv”.

Po ashtu, Musliu komento edhe ankesat e mbrotjes dhe të akuzuarve në lidhje me “anshmëri ndaj dëshmitarëve”, kjo duke e lidhur me pyetjet e parashtruara.

Image

Skënder Musliu

Në këtë pikë, theksoi faktin se gjyqtarët nuk kanë kufizime ligjore, as në mënyrën e as në llojet e parashtrimit të pyetjeve dëshmitarëve.

“Ditëve të fundit, kishte ankesa nga të akuzuarit dhe avokatët të tyre, se trupi gjykues kishte anshmëri ndaj dëshmitarëve, respektivisht se gjykatësit po i bëjnë pyetje « orientuese » dhe « sugjestive »dëshmitarëve. Shtrohet pyetja se sa qëndrojnë këto ankesa?! Me këtë rast dëshiroj të theksoj faktin se gjyqtarët, për dallim nga prokurorët special dhe avokatët e mbrojtjes, nuk kanë kufizime ligjore, as në mënyrën e as në llojet e parashtrimit të pyetjeve dëshmitarëve, por nuk kanë kufizime as për kohën e shpenzuar gjatë procesit gjyqësor, sepse këte ua mundëson ligji, kurse prokurorët special dhe mbrojtja, janë të kufizuar me kohën dhe llojet e pyetjeve, duke u monitoruar nga trupi gjykues e që është konform procedurave ligjore.

Po ashtu javën e kaluar, me propozim të prokurprisë Speciale, Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi një aktakuzë të re kundër Hashim Thaçit dhe katër personave të afërt me te. Kjo aktakuzë, Hashim Thaçin e akuzon se « së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Fazliu dhe zotiti Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarët të ZPS-së udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë ». Në paraqitjen e parë para gjykatës H. Thaçi, përveç tjerash, deklaroi se, së shpejti në Kosovë mbahen zgjedhjet parlamentare, por se ai nuk është në garë elektorale dhe se nuk paraqet rrezik politik, dhe kërkoi nga të gjithë të pranishmit t’a respektojnë Kushtetutën e Kosovës. Mirëpo, unë mendoj se, as Prokuroria e as Gjykata Speciale nuk merren me zgjedhjet në Kosovë, por akuzat e reja kanë të bëjnë me përgjimet që Prokuroria Speciale i ka bërë gjatë vizitave që ia kanë bërë Thaçit, të katër akuzuarit në fjalë”, nënvizoi ai.

Më tej, juristi nga Belgjika vlerësoi se këto kritika që po bëhen ndaj Speciales dhe gjykatësve të saj, janë të padrejta.

Gjithashtu, tha se kërkesat për zhbërjen e Gjykatës Speciale janë të kota, pasi aty nuk po gjykohet UÇK-ja, por disa individë të caktuar.

“Menjëherë pas publikimit të aktakuzave të reja për pengim të drejtësisë, reaguan organizatat e veteranëve të dala nga lufta si dhe PDK-ja, duke kritikuar ashpër Dhomat e Specializuara, me pretekstin se ajo po e përndjek UÇK-ën dhe çlirimtarët e Kosovës, rrjedhimisht duhet sa më shpejtë të zhbëhet kjo gjykatë?!  Mirëpo, shtrohet pyetja se, a janë të drejta këto kritika?! Konsideroj se jo.

Së pari, me Ligjin mbi Dhomat e Specializuara parashihen edhe kompetenca shtesë që kanë të bëjnë me ndërhyrje në administrimin e drejtësisë, respektivisht është kompetencë e kësaj Gjykate. Së dyti, kërkesat për zhbërjen e Gjykatës Speciale janë të kota, sepse sipas një shpjegimi të mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara, as Kuvendi i Kosovës e as një institucion tjetër i Kosovës, nuk mund t’a zhbëje Gjykatën Speciale. Së treti, është e papranueshme dhe inkriminuese të thuhet se në Hagë po gjykohet UÇK-ja dhe çlirimtarët e Kosovës sepse në Hagë, pikërisht po pastrohet UÇK-ja nga individë të caktuar që pretendohet se kanë keqpërdor uniformën dhe autoritetin e imponuar gjatë periudhës kritike ndaj popullatës së pambrojtur civile, dhe se UÇK-ja nuk janë individët, mbase UÇK-ja identifikohet vetëm me popullin. Edhe pse mbrojtja e Hashim Thaçit, duke dashur t’a shfajsojë klientin e tij, në një rast, kishte deklaruar se UÇK-ja ka kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, mirëpo klienti i tij nuk i ka bërë ato, që ka qenë një gabim trashanik, i papranueshëm   dhe historikisht i dëmshëm, sepse UÇK-ën e ka identifikuar me kryerjen e krimeve të pretenduara”, shpejgoi Musliu.

Tutje, ai kritikoi edhe disa avokatë që po komentojnë veprimet e kësaj Gjykate përmes një gjuhe populiste.

Avokati pengimin e drejtësisë, e konisderoi si cenim të integritetit të procesit gjyqësor

“Në këtë kontekst, dëshiroj të përmendi një dukuri negative, që ka të bëjnë me kritikat e disa avokatëve vendor, të cilët nëpër studio të ndryshme televizive, po i komentojnë veprimet e Gjykatës Speciale, të cilët përmes një gjuhe populliste, mbase nga frika se do të stigmatizohen nga një pjesë e opinionit, kritikojnë Prokurorinë dhe Gjykatën Speciale, edhe pse si profesionist të fushës e dijnë se çdo gjë është në përputhje me ligjin, dhe kjo shkakton paqartësi dhe huti në opinion dhe iu jep apetite disa televizioneve, gazetarëve dhe analistavë mercenar, t’a manipulojnë opinionin me të pavërteta.

Ndërhyrjet në administrimin apo pengimin e drejtësisë që nga fillimi i procesit gjyqësor, që e konsideroj si cenim të integritetit të procesit gjyqësor, e sidomos ato që pretendohet se janë të dirigjuara nga Haga, na lënë të kuptojmë shumë gjëra, e sidomos të dyshojmë, sepse sikur të ishin të pafajshëm, këto obstrukcione nuk do të ndodheshin”.

Në fund, juristi shtoi se është e padrejtë që personave që qëllimisht e pengojnë administrimin e drejtësisë, t’iu paguhen avokatët nga paratë e taksapaguesve.

“Mirëpo, një gjë është e sigurtë, se pengimi në administrimin e drejtësisë, ndikon drejtpërdrejtë në refuzimin sistematik të kërkesave të mbrojtjes së të akuzuarve, që ata të mos mbrohen në liri, por të mbahen në paraburgim.

Fatkeqësisht, aktakuzat për pengim në administrimin e drejtësisë, paraqesin një dëm kolateral jashtëzakonisht të madh financiar, që do t’a keqpërdor buxhetin e Kosovës duke ua paguar honoraret e avokatëve të tyre. Konsideroj se, nuk është e drejtë dhe është në kundërshtim me Kushtetutën, që personave që qëllimisht e pengojnë administrimin e drejtësisë, t’iu paguhen avokatët nga taksapaguesit e pafajshëm”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.

Zgjidhni kandidatëttuaj të preferuar për deputet nga Suhareka! 🗳️

Kandidati juaj i preferuar per Kryeminister?