Dje në Mitrovicë, kandidati për kryeministër dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar programin e tij ambicioz për infrastrukturë dhe energji, pjesë e platformës “Rruga e Re”. Me një pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, Abdixhiku shpalosi projekte të mëdha që synojnë ta transformojnë Kosovën në një model zhvillimi rajonal dhe ta vendosin atë në hap me standardet europiane.
Infrastrukturë: Investime strategjike për lidhje dhe lehtësira të reja
Abdixhiku premtoi përfundimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore që do të ndihmojnë në lidhjen më të mirë të qyteteve dhe zhvillimin ekonomik:
Përfundimi i magjistrales Prishtinë-Podujevë (50 milionë euro) dhe Prishtinë-Mitrovicë (30 milionë euro).
Autostrada e Anamoravës, që lidh Prishtinën me Gjilanin dhe Dheun e Bardhë, me një investim prej 170 milionë eurosh.
Unaza e Jashtme e Kryeqytetit, një projekt me kosto prej 350 milionë eurosh për të rritur efikasitetin dhe lehtësuar trafikun në Prishtinë.
Vazhdimi i autostradës “Ibrahim Rugova” deri në Merdarë (150 milionë euro), pjesë e investimeve rajonale të BE-së.
Ndërtimi i 200 vendndalesave për autobusë dhe vetura me investim prej 10 milionë eurosh, për të përmirësuar transportin publik dhe privat.
Energji: Një sistem i qëndrueshëm dhe më i pastër
Në sektorin energjetik, Abdixhiku parashtroi projekte madhore që synojnë tranzicionin energjetik dhe stabilitetin:
Ndërtimi i një centrali me gaz prej 500 MW, me investim prej 500 milionë eurosh.
Gazifikimi i Kosovës, me një linjë furnizimi nga Hani i Elezit deri në Mitrovicë (120 milionë euro).
1000 MW energji të ripërtëritshme nga parqe diellore dhe të erës brenda 4 vitesh.
Infrastrukturë rezervë për energjinë elektrike përmes hidrocentraleve reversibile dhe baterive (50 milionë euro nga buxheti shtetëror dhe 250 milionë euro nga investitorë privatë).
Eliminimi i TVSH-së për energjinë elektrike për të ulur barrën financiare mbi familjet kosovare.
Plan kombëtar për vetura elektrike, duke eliminuar të gjitha taksat doganore dhe tatimore për regjistrimin e tyre.
Dyfishimi i projektit të kogjenerimit në Prishtinë dhe Obiliq me investim prej 120 milionë euro.
“Koha për ndryshim të qëndrueshëm”
Lumir Abdixhiku theksoi se Kosova nuk mund të mbetet e fundit në Europë dhe është koha për një të ardhme të sigurt dhe të zhvilluar. Me ekipin e tij dhe programin “Rruga e Re”, ai premtoi një sistem modern infrastrukture dhe energjie që do t’i japë Kosovës zhvillim të qëndrueshëm dhe standarde europiane.
Portali Suhareka Express do të vazhdojë të përcjellë vizitat dhe programet e kandidatëve për zgjedhjet e 9 shkurtit.