Një dukuri e shpeshtë që terrorizon blegtorët në vende të ndryshme në Kosovë dhe që është shndërruar në shqetësim janë vjedhjet e bagëtive. Për një rast të tillë në Rahovec, Policia ka arritur t’i arrestojë dy persona të dyshuar, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë herë, të dyshuarit tentuan të vjedhin bagëti, por nuk arritën, pasi u kapën në flagrancë.
Sinjali merr vesh se rasti ka ndodhur në rrugën “Shkodrani” në Rahovec, ku të dyshuarit deshën të vjedhin një viç, i cili ishte ndarë nga tufa e bagëtive që ndodhej në rrugë.
Pronari ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe posa njësia policore ka arritur në vendin e ngjarjes, të dyshuarit janë hasur aty.
Dy personat e dyshuar e kanë mohuar që qëllimi i tyre ka qenë ta vjedhin viçin, duke u arsyetuar se kanë dashur vetëm ta fotografojnë.
Të njëjtit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor.