Asambleisti dhe kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Selman Kolgeci, ka ngritur shqetësimin për sigurinë e pjesëmarrësve në trafik në rrugën Skënderbeu të Suharekës. Në një postim të publikuar dje, Kolgeci ka kritikuar mungesën e profesionalizmit në projektimin dhe mbikëqyrjen e kësaj rruge, duke e cilësuar si një faktor të rrezikshëm që ka prodhuar aksidente.
“Edhe pse kam reaguar disa herë për formën jo të duhur të elementeve të rrugës Skënderbeu dhe kam adresuar këtë çështje në mbledhjet e XI-të dhe XII-të të Kuvendit të Komunës, njësia e kërkesës dhe institucioni përkatës për mbikëqyrjen e projektit nuk kanë marrë masa të nevojshme,” ka shkruar Kolgeci.
Si pasojë e kësaj, vetë dje në këtë rrugë janë regjistruar dy aksidente trafiku, fatmirësisht pa pasoja fatale. Sipas tij, kjo rrugë ka pasur edhe aksidente tjera të ngjashme për shkak të kushteve të pasigurta.
Kolgeci ka shprehur shqetësim të veçantë për:
- Vlerësimin e sigurisë që ofrojnë kyqjet ekzistuese të rrugës.
- Nxjerrjen e rekomandimeve për korrigjimet eventuale për rritjen e sigurisë në trafik.
- Analizimin e nivelit të sigurisë së lëvizjes së këmbësorëve që përdorin trotuarët, me theks të veçantë tek nxënësit.
“Apeloj tek organet komunale që të marrin masa urgjente për të garantuar sigurinë e qytetarëve, duke përfshirë edhe hapin konkret për përmirësimin e kushteve për lëvizjen e lirë të qytetarëve,” ka theksuar Kolgeci.
Për fund, ai ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ka siguruar se do të vazhdojë të ngritë zër në mbrojtje të interesave të tyre.