Disa nxënës dhe disa zyrtarë policorë kanë marrë lëndime pasi janë sulmuar nga një qen i cili kishte hyrë brenda objektit të shkollës “17 shkurti” në Shirokë të Suharekës.
Policia ka dhënë detaje për ngjarjen duke njoftuar se rasti është raportuar të (22.01.2025) rreth orës 09:50 minuta.
Dy nxënës kanë marrë lëndime nga sulmi i qenit dhe janë duke marrë trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Një nxënësE e lindur në vitin 2017 ka lëndime më serioze në kokë nga kafshimi i qenit, thekson Policia për KALLXO.com.
Ndërkaq sipas PK-së, dy nxënës kanë marrë lëndime të lehta gjatë ikjes.
“Patrullat policore i janë përgjigjur rastit me urgjencë ku kanë arritur në shkollë kanë vrenjtur një qen brenda shkollës i cili kishte sulmuar nxënësit e shkollës dhe paraqiste rrezik potencial ende. Qeni ka sulmuar edhe policët, mirëpo në shpejtësi është asgjësuar duke e mënjanuar rrezikun e mëtutjeshëm”- ka thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë në Prizren, Vesel Gashi.
Tutje ai njoftoi se Policia ka ndihmuar nxënësit të dërgohen në urgjencë për mjekim si dhe ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore në lidhje me rastin ne fjalë.
Për ngjarjen është njoftuar prokurori kompetent, Hetimet Rajonale në Prizren, IPK-ja si dhe është identifikuar pronari i qenit dhe i njëjti arrestuar.
Rasti është iniciuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Policia shton se njësitet përkatëse policore janë duke hetuar rastin.