Një ngjarje e pazakontë ka tronditur dje komunitetin e Shirokës, kur një qen agresiv hyri në ambientet e shkollës fillore “17 Shkurti” dhe sulmoi nxënës, mësimdhënës e zyrtarë policorë. Katër nxënës pësuan lëndime, dy prej të cilëve më serioze. Një vajzë 8-vjeçare, me lëndime në kokë, po trajtohet në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Pamjet e shpërndara treguan momente paniku, ku nxënësit dhe mësimdhënësit përpiqeshin të shmangnin sulmin. Policia ndërhyri me shpejtësi, duke arritur ta neutralizojë qenin dhe të shpëtojë nxënësit.
Burime nga Suhareka Express konfirmojnë se polici që tregoi heroizëm ishte Blerim Kuqi. Ai me profesionalizëm dhe guxim neutralizoi situatën, duke shmangur dëme të tjera të mundshme. Kuqi, i njohur për përkushtimin ndaj detyrës, ka ndërhyrë edhe në të kaluarën në raste kritike.
Policia e Kosovës ka identifikuar dhe arrestuar pronarin e qenit. Ndaj tij po zhvillohen hetime për përgjegjësi ligjore, pasi qeni u gjet i papenguar jashtë kontrollit.
Kjo ngjarje ka ngritur shqetësime për sigurinë e nxënësve në institucionet arsimore dhe për nevojën e zbatimit më rigoroz të rregullave për mbajtjen e kafshëve.