Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar me një status një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, duke falënderuar votuesit, qytetarët dhe veprimtarët e partisë për angazhimin e tyre.

Të gjithë votuesve tanë, ju faleminderit që mbështetët Lidhjen tonë. Të gjithë qytetarëve të Kosovës, ju faleminderit që nderuat demokracinë e atdheut tonë. Të gjithë veprimtarëve tanë, ju faleminderit që punuat me kaq vullnet e me kaq emocion në këto zgjedhje. Asgjë mangut!” – shkroi Abdixhiku.

Ai theksoi se LDK ka bërë një rrugëtim të drejtë dhe me vizion për Kosovën, duke u shprehur krenar për rritjen e partisë, por njëkohësisht edhe i vetëdijshëm se ajo nuk ishte e mjaftueshme për të sjellë ndryshimin e dëshiruar në këtë fazë.

Rritja jonë i jep mundësi e qetësi organizimit më të mirë të brendshëm partiak – dhe për këtë do të qëndroj gjithmonë krenar; por kjo rritje është e pamjaftueshme për ndryshimin e Republikës në këtë fazë – dhe për këtë ndjej keqardhje.” – shkroi ai.

Në fund të mesazhit, kreu i LDK-së siguroi qytetarët se procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar dhe se partia do të dalë me qëndrime të qarta pas përfundimit të numërimit të votave, sidomos atyre nga diaspora.

Pavarësisht të gjithave, do të ketë dritë!” – përfundoi Abdixhiku.

Tani mbetet të shihet se si do të reflektojë rezultati përfundimtar në strategjinë politike të LDK-së për të ardhmen.

TE FUNDIT