Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar arsyen se nuk janë publikuar akoma rezultatet për të gjitha vendvotimet.
Ai tha se për 21 vendvotime ose 0.83 për qind, pas numërimit të votave, materiali zgjedhor përfshirë formularët e rezultateve, janë vendosur brenda kutive e jo mbi to, siç parashihet me procedurë.
Elezi bëri të ditur se të dhënat nga këto vendvotime do të përditësohen kur të fillojë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë.
“Ju njoftoj se arsyeja pse ende nuk janë publikuar rezultatet preliminare për subjektet politike nga 21 vendvotime apo 0.83% e tyre është se pas numërimit të votave të subjekteve politike, materiali zgjedhor, përfshirë edhe formularët e rezultateve, janë vendosur brenda kutive të votimit dhe jo mbi to, siç e parashihet me procedurë. Andaj, të dhënat nga këto vendvotime nuk mund të përditësohen tani, pasi hapja e kutive të votimit nuk mund të bëhet në këtë fazë, por vetëm kur të fillojë procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.”