Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se e numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga zgjedhjet parlamentare të kësaj fundjave, do të fillojë sot  më 11 shkurt në ora 16:00. 

Lajmin e ka konfirmuar për gazetën online Reporteri.net, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elelzi.

Numërimi fillimisht do të bëhet për votat e katër komunave.

“Sot në orën 16:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve planifikon të fillojë numërimin në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat: Prishtinë, Obiliq, Lipjan dhe Partesh.”, tha ai.

Sipas Elezi procesi i numërimit në Qendrat tjera do të fillojë pasi të bëhen të gjitha përgatitjet e duhura teknike dhe administrative.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit garuan 1.280 kandidatë nga 28 subjekte politike për t’u zgjedhur në Kuvendin me 120 ulëse.

Sipas rezultateve të fundit të publikuara, Lëvizja Vetëvendosje renditet e para me 40.83 për qind apo 339 mijë e 350 vota, PDK e dyta me 22.15 përqind apo 184 mijë e 87 vota, LDK e treta me 17.59 për qind apo 146 mijë e 241 vota dhe AAK e katërta me 7.47 për qind apo 62 mijë e 66 vota.

Këto rezultate janë preliminare dhe nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.

Bazuar në këto rezultate, VV pritet t’i ketë 47 deputetë, PDK 25 deputetë, LDK 20 deputetë dhe AAK 8 deputetë

TE FUNDIT