Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka folur sot në një konferencë për media.
Ai ka treguar se po vazhdon puna për shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjekte dhe kandidatë për deputetë.
“Deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare KQZ duhet të numërojë votat e kandidatëve për deputetë dhe të bëjë verifikimin e votave të subjekteve politike nga formularët që janë plotësuar në vendvotime. Të bëjë numërimin e votave me kusht, personave me nevoja të veçanta, votat nga votimi jashtë Kosovës dhe pasi të vendoset për ankesat eventuale nga PZAP, Gjykata Supreme dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave në qendrën e numërimit dhe rezultateve”, ka thënë ai.
Gjersa, vazhdojnë procedurat e numërimit të votave, tashmë një gjë është e sigurt se Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka marrë më tepër vota dhe që ka dalë e para në zgjedhje, nuk mund ta formojë qeverinë e vetme dhe medoemos duhet të formojë një koalicion.
“Bota sot”, ka pyetur Partinë Demokratike të Kosovës, në lidhje me një koalicion të mundshëm, dhe ish- deputeti dhe kandidati, Nait Hasani, e ka mohohuar një të tillë.
Sipas tij, PDK duhet të ketë vija të kuqe dhe vota e tij në kuvend nuk shkon për një koalicion të tillë.
“Për mua Partia Demokratike e Kosovës duhet të ketë vija të kuqe, votën time nuk e ka në Kuvendin e Kosovës vetëm me Lëvizjen Vetëvendosje në koalicion. Prandaj, nëse tentohet të bëhet koalicion në Kuvend me Lëvizjen Vetëvendosje, vota ime është kundër edhe nëse Bedri Hamza nuk bëhet kryeministër, këtë ia kam deklaruar edhe kryetarit të partisë, edhe në publik e nëpër studio televizive, sepse nuk mund ta bëjë atë fyerje që i është bërë në Kuvend, nuk mund ta bëjë atë dhunën që i është bërë në kuvend, atë dhunën dhe që nuk i ka mbrojtur vlerat e luftës, nuk ka qenë në gjendje t’ia bëjë një vizitë në Dhoma të Specializuara atyre që e kanë zhvilluar dhe ndërtuar shtetin”, ka deklaruar Hasani.
Kujtojmë se kur janë numëruar mbi 99 për qind e votave vetëm për subjektet politike, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, i ka fituar 40.81 për qind të votave, sipas KQZ-së.
Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës i ka fituar 22.16 për qind të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës i ka siguruar 17.60 për qind të votave. Koalicioni mes Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës dhe NISMA-s, fitoi 7.46 për qind të votave. Ndërkohë, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, i fitoi 4.43 për qind të votave.