Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar mbrëmë ka zhvilluar një operacion policor në Pejë, cak i të cilit ishin disa persona të përfshirë në një rast të veprimtarisë së kundërligjshme. Aksioni rezultoi me prangosjen e pesë personave dhe tashmë po ndërmerren veprimet e tjera nga Policia.
Pesë personat që u arrestuan nga Policia në lidhje me këtë rast janë: Fatos Çollaku, Roland Beqiri, Demokrat Muçaj, Dardan Ramqaj, dhe Shpend Kelmendi.
Të arrestuarit janë hetuar nën dyshimin për veprën penale “Krim i organizuar” dhe për përgatitjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”. Të njëjtit dyshohet se kanë bërë marrëveshje, janë organizuar dhe kanë planifikuar kryerjen e një vrasje, si dhe janë përfshirë në krim të organizuar.
Hetimi i nisur për këtë rast çoi në identifikimin e të dyshuarve, të cilët u kapën të premten në mbrëmje pas bastisjeve të kryera nga disa njësi policore në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe gjyqtarin e procedurës paraprake.
Siç merr vesh Sinjali të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit për 48-orë, ndërsa brenda afatit ligjor do të ushtrohet kërkesa për paraburgim.
Ndryshe, kur ligji parasheh dënimin për përgatitjen e veprës penale të caktuar, përgatitja e veprës penale përfshin furnizimin me mjete ose aftësimin e mjeteve për kryerjen e veprës penale; mënjanimin e pengesave për kryerjen e veprës penale; marrëveshjen, planifikimin ose organizimin me personin tjetër për kryerjen e veprës penale, si dhe veprimet tjera me të cilat krijohen kushtet për kryerjen e drejtpërdrejt të veprës penale.