Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka pasur një histori të luhatshme në zgjedhjet lokale në Suharekë, duke kaluar nga balotazhi në vitet e mëhershme, deri te renditja si partia e fundit në zgjedhjet e fundit të vitit 2021.
Në zgjedhjet e vitit 2007, PDK garoi me Enver Hoxhajn si kandidat për kryetar të komunës, duke marrë 9,339 vota në raundin e parë. Megjithatë, në raundin e dytë, partia nuk arriti të mbrojë as votat fillestare, duke rënë në 8,195 vota, gjë që i kushtoi humbjen e garës.
Në zgjedhjet e 2009, PDK riktheu fuqinë e saj me Ramë Vatajn si kandidat për kryetar, duke siguruar balotazhin me 8,894 vota. Në raundin e dytë, ndonëse u rrit në 11,941 vota (47.67%), përsëri u mposht nga kandidati i AAK-së.
Në zgjedhjet e 2013, Ramë Vataj u rikandidua për të udhëhequr Suharekën, por PDK nuk arriti të hynte në balotazh. Me 8,694 vota, partia u rendit e treta, duke i munguar vetëm 554 vota për të hyrë në raundin e dytë.
Në vitin 2017, me kandidatin Blerim Xhemajliu, PDK pësoi një rënie të mëtejshme, duke marrë 3,561 vota dhe duke mos arritur të hynte në balotazh, por duke u renditur si partia e tretë.
Zgjedhjet e 2021 shënuan rezultatin më të keq në historinë e PDK-së në Suharekë. Me kandidatin Murtez Zekolli, partia mori vetëm 2,428 vota, duke u renditur partia e fundit, një rënie drastike nga vitet e mëparshme.
PDK në Suharekë: Çka tutje?
Nga një parti që dikur arrinte balotazhin dhe siguronte dhjetëra mijëra vota, PDK ka përjetuar një rënie të pandalshme në Suharekë. Rezultati i 2021 tregon se partia ka humbur bazën e saj elektorale dhe sfida kryesore mbetet rikthimi i besimit të votuesve. Pyetja që mbetet është: a do të arrijë PDK të rikthehet në skenën politike të Suharekës, apo ky është fundi i një epoke për këtë parti në komunë?