IKSHPK: Për këtë Kurban Bajram, veproni kështu

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka publikuar udhëzime për qytetarët në lidhje me festën e Kurban Bajramit, të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Instituti ka këshilluar që kjo festë të festohet me personat e shtëpisë, por në rast se dilet jashtë, atëherë të ndiqen rekomandimet e autoriteteve kombëtare dhe të mbahet distancë në një metër.

“Hani shëndetshëm gjatë festimit. Balanconi dietën tuaj me fruta dhe perime të mjaftueshme dhe hani një sasi të shëndetshme kripe dhe yndyre, duke përfshirë edhe mishin”, këshillohet në manualin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i publikuar nga IKSHPK-ja.

Po ashtu rekomandohet që në vend se të bëhet një udhëtim, të qëndrohet lidhur me miqtë dhe familjen përmes thirrjeve videogrupore.

“Ju gjithashtu mund të bëni aktivitete të tjera në internet: bëni turne në muze virtual ose vizita në internet nëpër parqe dhe atraksione”, thuhet në manual.

Këshillat kryesore vazhdojnë të mbesin të njëjtat, të lahen duart, të mbahet distancë, të mbulohet kolla dhe teshtima me bërryl të lakuar ose faculetë e të barten maska.

IKSHPK-ja ka falënderuar qytetarët për mbajtjen sigurt dhe shëndetshëm të vetvetes dhe të të dashurve përreth.

“Së bashku ne do ta kapërcejmë këtë pandemi”, përfundohet në këshillat nga Instituti.

GazetaExpress