Babai i të vrarit nga polici në kazino: A ma ke vra djalin a jo, kaq po du me
“Unë e di që asgjë nuk më shfajëson nga fajësia për rastin konkret, por është mirë që ju me i dëgju përjetimet dhe gjendjen shëndetësore dhe mendore timen”.
Kështu ka filluar rrëfimin e tij Shefki Spahiu, i akuzohet për veprën penale të vrasjes së rëndë në kazino në qytetin e Suharekës.
Polici Spahiu me gradë të rreshterit, po akuzohet se më 17 mars 2019 në Suharekë, në një kazino e cila gjendet në rrugën e Reshtanit, me dashje dhe në mënyrë dinake kishte privuar nga jeta 32 vjeçarin Jetmir Aliajn, punëtor i kazinosë.
Sipas aktakuzës, pasi që Shefki Spahiu qëndroi në kazino, papritur duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock”, të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.
Sot para trupit gjykues me kryetaren Ajser Skenderi dhe gjyqtarët Artan Sjerani dhe Kymete Kicaj, i akuzuari Shefki Spahiu për herë të parë është deklaruar për ngjarjen e ndodhur më shumë se 1 vit më parë.
Para se i akuzuari të jepte mbrojtjen e tij Gjykata ka shikuar CD-të, në të cilën shihet momenti i vrasjes së ndodhur mëngjesin e datës 17 mars 2019 në kazinon ku punonte i ndjeri.
“Mbretëresha e provave” e ka cilësuar prokurori Mehdi Sefa, CD-në të cilën e posedon Prokuroria si provë kryesore në këtë çështje.
Gjithashtu, Prokuroria ka gjetur se karikatorit të armës zyrtare të policit i mungonte një plumb pas vrasjes.
Në mbrojtjen e tij të dhënë para Gjykatës, Shefki Spahiu për rreth 5 orë të plota është përgjigjur në pyetje e mbrojtësit të tij, avokatit Emrush Kastrati dhe në pyetjet e Prokurorit Mehdi Sefa.
I njëjti fillimisht ka treguar se që nga viti 2000 është pjesë e Policisë së Kosovës, ndërsa që nga vitit 2005 me gradë është rreshter. “Në vitin 2014 kam qenë në proces për të marrë gradën Toger, por gjatë asaj kohe dikujt i ka penguar puna ime, dhe filluan me propaganda kinse unë merrem me kontrabandim e fajde”, tregoi për të kaluarën e tij rreshteri i Policisë i akuzuar për vrasje.
I njëjti tregoi që edhe më herët është përballur me aktakuzë për veprën penale të dhunimit të një të miture, por ishte shpallur i pafajshëm.
“Dhe që nga ajo ditë jeta ime ka ndryshuar për 360 shkallë”, tregoi i akuzuari.
Ai tregoi se që nga ajo kohë kishte filluar të përdorte shumë alkoolin.
Dhe kalova nga lojërat e fatit”, tregoi ai.
Për ditën kritike i akuzuari Shefki Spahiu, tha se që nga ora 12:00 e ditës kishte filluar të konsumonte alkool, dhe kjo ka zgjatur deri në orën 03:00 të mëngjesit kur edhe kishte shkuar herën e parë në kazinonë ku ka ndodhur ngjarja kritike.
I akuzuari Spahiu tregoi se më pas ishte larguar nga kazino, për t`u rikthyer rreth orës 07:30 për të kërkuar një telefon të humbur.
Për të ndjerin Jetmir Aliaj, i akuzuari Shefki Spahiu tha se rreth një muaj para ngjarjes kritike i ndjeri ishte ankuar te menaxheri i kazinos, se këtu i akuzuari kishte derdhur ujë në një aparat të kazinos.
Lidhur me këtë ngjarje, i akuzuari Shefi Spahiu tha se kishte filluar të diskutonte me të ndjerin Jetmir Aliaj.
“Ai (Jetmiri) ka qenë i frustruar për atë punë që ka ndodh ma herët, dhe ka filluar me më sha”, ka thënë i akuzuari Shefi Spahiu.
I njëjti tregoi se i ndjeri Jetmir Aliaj e kishte shërbyer me kafe, por sipas tij pas fjalosjes me të ndjerin: “Kam humbur kontrollin dhe vetëdijen, isha i nervozuar dhe ndodhi vrasja, ajo që e pamë në video”, ka vazhduar i akuzuari.
Babai i viktimës Halil Aliaj, që assesi nuk po pajtohet me formën si iu vra djali i tij, i përlotur i tha të akuzuarit se: “A ma ke vra djalin a jo, qe kaq po du me dit”.
Në fund të ditës, trupi gjykues vendosi që me datë 21 shtator, prokurori dhe avokati mbrojtës të paraqesin fjalën e tyre përfundimtare, dhe 3 ditë pas kësaj seance eventualisht deri me datë 24 shtator 2020, trupi gjykues do të shpallë vendimin.
I akuzuari Spahiu tha se pendohet për veprën e kryer: “Ka qenë një situatë e papritur, dhe nuk e kam pritur atë reagim të tij dhe më humbi truri“.
Në pyetjet e prokurorit Mehdi Sefa, avokati mbrojtës kishte kundërshtime thuajse në secilën pyetje, duke kërkuar që të refuzoheshin pyetjet e prokurorit.
I akuzuari Spahiu në përgjigjet e tij, tregoi se vrasja ka ndodhur me armën zyrtare dhe tjetër armë nuk ka, gjithashtu rrëfeu se këtu i ndjeri i kishte shërbyer kafe pak para momentin kritik.
Prokurori i rastit Mehdi Sefa paraqiti kundërshtimet e tij në pretendimet e të akuzuarit se ka pasur një fjalosje me të ndjerin. “Kjo pasi që e pamë në video, shihet që nuk ka pasur asnjë zënkë dhe fjalosje, mirëpo i ndjeri në mënyrë të sinqertë e ka shërbyer me kafe dhe ujë, ndërsa këtu i akuzuari në mënyrë dinake ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë”, tha Sefa.
Në përfundim të një seance të gjatë, trupi gjykues vendosi që në seancën e datës 21 shtator, prokurori dhe avokati mbrojtës të paraqesin fjalën e tyre përfundimtare, e pastaj i mbetet trupit gjykues të merr vendimin përfundimtar për të shpallur vendimin lidhur me akuzat për vrasje të rëndë në mënyrë dinake.\Kallxo.com